ASK: Importi dominon tregtinë, por në janar rritje shënoi eksporti
Luftërat dhe krizat në botë kanë dëshmuar disa herë ndikimin në furnizim dhe rritjen e çmimeve te shtetet që varen nga importi. Ndonëse Kosova vazhdon të varet nga mallrat e huaja, eksporti gjatë këtij viti ka shënuar rritje. Sipas Institutit GAP, edhe në vitin 2025 eksporti i shërbimeve ishte më i lartë se vitin paraprak.
Varësia ndaj mallrave të huaja për vite me radhë e ka bërë Kosovën një shtet të brishtë ndaj krizave globale.
Megjithatë, statistikat flasin për zhvillim pozitiv në vitin e fundit, pasi eksporti është rritur dhe importi ka nisur të bjerë.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vetëm në janar të këtij viti Kosova ka eksportuar mallra me vlerë 60.2 milionë euro, ndërsa importi ka arritur në 426.1 milionë euro.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, eksporti është rritur për 0.8%, ndërsa importi ka rënë për 10.1%.
Ndërkaq, sipas Institutit GAP, në vitin 2025 Kosova ka eksportuar shërbime në vlerë prej 3.9 miliardë euro, apo 15% më shumë se në vitin 2024.
Nga Instituti GAP kanë thënë se për çdo 1 euro të eksportuar në shërbime, Kosova ka importuar vetëm 44 centë.
“Ky raport mes importit dhe eksportit është ndër më të mirët në rajon dhe më gjerë. Zakonisht, shtetet e mëdha i kanë pothuajse të balancuara eksportet dhe importet, si për mallra ashtu edhe për shërbime.”
Nga Dogana e Kosovës thonë se kanë krijuar lehtësira për operatorët tregtarë.
Kosova sivjet ka eksportuar më së shumti mallra në Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Gjermani dhe Itali. Ndërsa produktet më të eksportuara kanë qenë materialet ndërtimore, ushqimet, pijet dhe duhani.
