Asgjë sa i përket njohjes, Greqia as Kurtit s’i jep më shumë sesa “përkrahje për liberalizim vizash”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias, takim i cili u realizua në ditën e tretë të Forumit Ekonomik të Delfit.

Përmes një komunikate për media, bëhet e ditur se ministri grek e ka përgëzuar Kurtin për të arriturat e tij dhe ka thënë se Greqia vazhdimisht avokon për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Ministri Dendias e përgëzoi kryeministrin Kurti për të arriturat dhe shprehu gatishmërinë dhe vullnetin e qeverisë greke për të shtuar bashkëpunimin ekonomik dhe në fusha të tjera. Ai tha se Greqia vazhdimisht avokon për liberalizmin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe shtoi se shteti grek do të vazhdojë  përkrahjen për Kosovën në rrugën e integrimeve evropiane dhe euro-atlantike”, thuhet në komunikatë.

Tutje shtohet se gjatë takimit u diskutua edhe për zhvillimit aktuale politike, me theks të veçantë për situatën në Ukrainë.

“Në takim u diskutua edhe për zhvillimet aktuale politike, me theks të veçantë te situata në Ukrainë pas invazionit dhe agresionit rus dhe ndikimi që mund të ketë në destabillizimin e Ballkanit Perëndimor”, shtohet në komunikatë.

Komunikata e plotë:

Kryeministri Kurti takoi ministrin e jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias

Delfi, 9 prill 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, takuan ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias, në ditën e tretë të Forumit Ekonomik të Delfit.

Kryeministri Kurti foli për progresin e shënuar gjatë një vit qeverisjeje, angazhimin për reforma në drejtësi, sundim të ligjit dhe zhvillim të ekonomisë.

Duke e vlerësuar rolin e politikës së jashtme greke ndaj Kosovës, kryeministri Kurti tha se njohja e pavarësisë së Kosovës do t’i kontribuonte paqes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë.

Kryeministri Kurti theksoi  rëndësinë që ka përkrahja e Greqisë, si vend i rëndësishëm i rajonit, për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ai rikonfirmoi përkushtimin dhe angazhimin e institucioneve të Kosovës për integrim sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian dhe në NATO, veçanërisht në Programin e Partneritetit për Paqe.

Lidhur me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kryeministri Kurti ritheksoi se nga ai duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të zbatueshme, që në qendër ka njohjen reciproke.

Ministri Dendias e përgëzoi kryeministrin Kurti për të arriturat dhe shprehu gatishmërinë dhe vullnetin e qeverisë greke për të shtuar bashkëpunimin ekonomik dhe në fusha të tjera.

Ai tha se Greqia vazhdimisht avokon për liberalizmin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe shtoi se shteti grek do të vazhdojë  përkrahjen për Kosovën në rrugën e integrimeve evropiane dhe euro-atlantike.

Në takim u diskutua edhe për zhvillimet aktuale politike, me theks të veçantë te situata në Ukrainë pas invazionit dhe agresionit rus dhe ndikimi që mund të ketë në destabillizimin e Ballkanit Perëndimor.​

Go to TOP