Arteta pret paraqitje të Arsenalit që e çon në gjysmëfinale

Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka thënë se e pret nga skuadra e tij një aso performance që e kualifikon në gjysmëfinale të Champions League.

Të mërkurën skuadra e Arsenalit ndeshet me Bayern Munich në ndeshjen e dytë çerekfinale. Në ndeshjen e parë të zhvilluar javën e kaluar rezultati ka qenë baras 2-2.

“Një paraqitje që na fut në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Përgatitja ka qenë për ta arritur këtë”, ka thënë Arteta, kur është pyetur se çfarë pret nga skuadra e tij. 

Duke shprehur dëshirën për të kaluar në fazën e ardhshme të garës, trajneri spanjoll ka theksuar se do të bëhej fjalë për një të arritur të madhe për klubin. “Do të ishte e pabesueshme. Nëse arrijmë të kualifikohemi në gjysmëfinale, do të ishte një emocion i madh, është diçka që nuk i ka ndodhur klubit për pesëmbëdhjetë vjet”, ka thënë ai.

Arteta gjithashtu ka theksuar se skuadra është e gatshme për sfidën, duke mos lejuar humbjen e fundit të ndikojë në gjendjen e skuadrës. “Disfata e së dielës ndaj Aston Villas nuk do të ketë asnjë ndikim në ndeshjen e nesërme. Shumica e lojtarëve tanë janë me përvojë, janë super të motivuar, të gatshëm dhe me besim”, ka thënë ai.

Go to TOP