Arrijnë në Kosovë nga Kizhevaku eshtrat e viktimave të masakrës së Rezallës

Tashmë kanë arritur në Kosovë, arkivolet e viktimave të masakrës së Rezallës. Mbetjet u kthyen përmes pikës kufitare të Merdares.

Eshtrat e tyre u zhvarrosën nga varrezat masive në Kizhevak të Serbisë.

Në këtë masakër, forcat serbe vranë afro 100 shqiptarë, dhjetëra trupa të të cilëve u zhdukën.

Atje të pranishëm, përveç familjarëve, ishin kryeministri Albin Kurti, kryesuesi i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, Andin Hoti, Sami Lushtaku, kryetari aktual i Skenderajt, Bekim Jashari dhe qytetarë të tjerë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po ashtu ishte në Merdare, tha se masakra e Rezallës “është një nga dëshmitë e gjenocidit të Serbisë në Kosovë”.

Ai tha se, të zhdukurit në luftë janë çështja e parë në dialogun me Serbinë.

“Mungesa e përgjigjes për vendndodhjen e më të dashurve tuaj rëndon gjatë në jetën tuaj. 8215 ditë. Askush nuk mund ta dijë, kuptojë peshën e rëndë të mungesës mbi shpirtin tuaj. E madhe është dhimbja e kësaj dite. E dhimbshme është dita për mijëra familjarë të tjerë ku ankthi i pritjes nuk ka fund. Fëmijë që janë rritur duke pritur një përgjigje.

Të dashur familjarë, nuk ka fjalë që plotëson boshllëkun e familjarëve tuaj. Fjalët tona duhet përsëritur me zë të lartë që të dëgjohemi më shume se ata që mohojnë gjenocidin. Masakra e Rezallës është një nga dëshmitë e gjenocidit serb. Sot pas 22 vjetësh pritje na u kthyen trupat e këtyre qytetarëve që ishin varrosur në Kizhevak të Serbisë.

Kjo këtu sot është e vërteta që është përpjekur të mbulohet me varreza për dy dekada. Nuk mund të ndalemi derisa t’ua kthejmë familjarët dhe të sjellim drejtësi për ta. Të zhdukurit janë çështja e parë në dialogun me Serbinë. Qeveria është duke ndërmarrë hapat e nevojshëm për ballafaqim me të kaluarën dhe drejtësi për viktimat”, tha Kurti.

Mbetjet mortore të shtatë viktimave u gjetën në Kizhevak të Serbisë. Disa mbetje të dy prej tyre u gjetën më herët në Rudnicë dhe iu bashkuan pjesëve të tjera të gjetura në Kizhevak.

Gërmimet në Kizhevak u kryen në fund të vitit të kaluar dhe këtë vit, ndërsa në Rudnicë në vitin 2014.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, rreth 6,500 persona kanë qenë të zhdukur.

Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.

Sipas autoriteteve në Kosovë, të pagjetur vazhdojnë të jenë edhe rreth 1,600 persona, kryesisht shqiptarë. /Kosova.info/

Go to TOP