Arkeologët në Pompei zbulojnë mbetjet e një breshke shtatzënë

Arkeologët në Pompei të Italisë kanë zbuluar mbetjet e një breshke shtatzënë, që kishte kërkuar strehim në rrënojat e një shtëpie të shkatërruar nga një tërmet në vitin 62 pas Krishtit.

Zyrtarët bëjnë të ditur se breshka 14 centimetra e gjatë dhe veza e saj u zbuluan gjatë gërmimeve në një zonë të qytetit antik, pasi tërmeti rrafshoi Pompein, aty ku ambienti po përgatitej për ndërtimin e banjave publike.

Arkeologët dyshojnë se breshka kishte kërkuar strehim në rrënojat e një shtëpie që ishte dëmtuar.

Drejtori i përgjithshëm i Pompeit, Gabriel Zuchtriegel, tha se fakti që ajo kishte ende vezën tregon se ajo vdiq përpara se të gjente një vend të sigurt për ta vendosur atë, raporton Associated Press, transmeton Klankosova.tv.

“Kjo na bën të reflektojmë për Pompein në këtë fazë pas tërmetit, kur shumë shtëpi po rindërtoheshin, i gjithë qyteti ishte një kantier ndërtimi dhe me sa duket disa hapësira ishin aq të papërdorura sa kafshët e egra mund të enden, të hynin dhe të përpiqeshin të bëjnë vezët e tyre”, u shpreh ai.

Ai u shpreh se zbulimi i breshkës tregon “mozaikun e marrëdhënieve midis kulturës dhe natyrës, komunitetit dhe mjedisit që përfaqëson historinë e Pompeit të lashtë”.

Ndryshe, këto gërmime po kryhen nga Universiteti i Lirë i Berlinit, Universiteti i Napolit L’Orientale dhe Universiteti i Oksfordit, së bashku me stafin arkeologjik të Pompeit.

Go to TOP