Arifi akuzon Kurtin: Ligji për shtetësinë favorizon serbët dhe anashkalon shqiptarët e Luginës

Ish kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, ka reaguar ashpër ndaj politikave të fundit të Qeverisë së Kosovës lidhur me ligjin për shtetësinë duke akuzuar kryeministrin Albin Kurti për, siç tha ai, favorizim të komunitetit serb në dëm të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Sipas Arifit, ndërkohë që Serbia vazhdon procesin e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Luginë, institucionet në Kosovë po ndërmarrin hapa që u lehtësojnë serbëve marrjen e shtetësisë kosovare. Ai theksoi se kjo qasje krijon një pabarazi të theksuar dhe mungesë reciprociteti.

“Për Luginën pritje, për serbët zgjidhje. Për shqiptarët arsyetime, për serbët lehtësime,” deklaroi Arifi duke e cilësuar këtë situatë si pasojë e, sipas tij, “një qasjeje diktatoriale” nga ana e qeverisë.

Ai paralajmëroi se ligji për shtetësinë nuk është vetëm çështje administrative, por mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë politik dhe elektoral. Sipas tij, shumë serbë që mund të pajisen me shtetësi do të fitojnë të drejtën e votës duke ndikuar në përbërjen e Kuvendit të Kosovës dhe duke rritur potencialisht numrin e deputetëve të Lista Serbe.

Arifi ngriti pyetjen se kujt po i shërben më shumë ky ligj duke vënë në pikëpyetje nëse prioritet mbeten shqiptarët që përballen me diskriminim në Luginën e Preshevës apo struktura politike që, sipas tij, funksionojnë nën ndikimin e Beogradit.

Në fund, ai kërkoi më shumë angazhim institucional për shqiptarët e Luginës duke theksuar nevojën për reciprocitet dhe trajtim të barabartë në raport me komunitetet e tjera. /Kosova.info/


Go to TOP