Ardian Sopa debuton në “IBSA Judo Grand Prix Astana 2026”, fiton përvojë të madhe ndërkombëtare

Në datat 12–13 maj 2026, në Astana të Kazakistanit u mbajt gara ndërkombëtare “IBSA Judo Grand Prix Astana 2026”, ku morën pjesë 137 garues nga 24 shtete të botës. Në mesin e tyre ishte edhe garuesi nga Kosova, Ardian Sopa, i cili përfaqësoi vendin në një nga ngjarjet më të rëndësishme të xhudos për sportistët me aftësi të kufizuara në shikim.

Sipas trajnerit Anton Cena, pjesëmarrja e Ardianit në këtë nivel garues ishte mbi të gjitha një përvojë e rëndësishme dhe një hap i madh përpara në karrierën e tij sportive duke pasur parasysh se ai ka nisur të merret me xhudo vetëm në vitin 2023 në Pejë, nën drejtimin e trajnerit Admirim Sahara, ndërsa më pas ka vazhduar stërvitjet në klubin e xhudos “Polici” në Prishtinë.

Ai ka vlerësuar përkushtimin dhe disiplinën e sportistit duke theksuar se Ardiani tri herë në javë udhëton nga Llapushniku për në Prishtinë për stërvitje.

Në kategorinë J1M -70 kilogramë, Ardian Sopa u përball në luftën e parë me garuesin brazilian De Oliveiera, nga i cili u mposht duke e përfunduar kështu garën në këtë Grand Prix.

Megjithatë, pjesëmarrja në një kompeticion të këtij niveli u cilësua si sukses dhe motivim i madh për të ardhmen.

Trajneri Cena theksoi se përfaqësimi i Kosovës dhe i Komitetit Paralimpik të Kosovës në këtë ngjarje ka pasur rëndësi të veçantë duke treguar se rruga deri te certifikimi zyrtar i Ardianit për pjesëmarrje ka kaluar nëpër shumë procedura dhe teste si në Kosovë ashtu edhe në Kazakistan.

Ai shprehu mirënjohje për Komitetin Paralimpik të Kosovës, Federatën e Sporteve për të Verbër të Kosovës, Ministrinë e Sportit, presidenten Njomza Emini, sekretaren Arjeta Gashi, si dhe për të gjithë kontribuuesit që mundësuan këtë pjesëmarrje.

Falënderim i veçantë iu drejtua edhe Shoqatës së Sporteve të Policisë së Kosovës për mbështetjen në pjesëmarrjen e trajnerit në këtë garë ndërkombëtare.

“Do të kthehemi në Kosovë me një përvojë shumë të mirë dhe me motivim edhe më të madh për të punuar më shumë dhe për të arritur rezultate edhe më të larta në të ardhmen”, ka deklaruar Anton Cena nga Astana. /Kosova.info/


Go to TOP