Aplikimi i përbashkët i Shqipërisë dhe i Serbisë për organizimin e Kampionatit Evropian U-21 ngjall reagime në Kosovë dhe Shqipëri
Aplikimi i përbashkët i Shqipërisë dhe i Serbisë për organizimin e Kampionatit Evropian U-21 për futboll ka shkaktuar reagime të ashpra nga qytetarët në Kosovë dhe Shqipëri. Shumë prej tyre e kanë ndërlidhur këtë bashkëpunim me luftën e fundit në Kosovë dhe ndikimet politike të së kaluarës.
Presidenti i Federatës shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, në një intervistë për Klan News, ka mbrojtur vendimin për të bashkëorganizuar Kampionatin Evropian U21 me Serbinë, duke theksuar se sporti mund të japë mesazhe bashkëpunimi dhe solidariteti.
Ai ka pranuar kritikat e forta që vijnë nga Kosova dhe Shqipëria, por ka theksuar se Shqipëria përfiton vetëm sportivisht nga kjo ngjarje.
Sipas Dukës, Kosova nuk është përfshirë në këtë organizim për shkak të mungesës së infrastrukturës sportive të përshtatshme.
Pavarësisht historisë së ndërlikuar midis popullit shqiptar dhe serb, Duka thekson se futbolli ka një ndikim pozitiv dhe duhet të shërbejë për ndërtimin e të ardhmes.
Flamur Gashi, një qytetar nga Prishtina, shprehu zemërimin e tij.
“Është e papranueshme që Shqipëria të bashkëpunojë me Serbinë për një ngjarje kaq të rëndësishme, kur ende nuk kemi drejtësi për shumë nga krimet e luftës”, tha Gashi për Kosova.info.
Në anën tjetër, ka edhe zëra që e mbështesin këtë hap si një mundësi për të forcuar marrëdhëniet dhe për të promovuar paqen.
A. Sh., nga Tirana, e cila deshi të mbes anonime, tha për Kosova.info se, sporti është një mjet që mund të ndërtojë ura.
“Kjo është një mundësi për të treguar se të rinjtë mund të krijojnë një të ardhme më të mirë, larg konflikteve të së kaluarës,” tha ajo.
Ndërkohë, qeveria shqiptare nuk ka komentuar ende për polemikat e krijuara duke theksuar rëndësinë e sportit si një fushë që duhet të mbetet jashtë çështjeve politike. /Kosova.info/