Antony: Te Betis rigjeta vetveten
Futbollisti brazilian, Antony Matheus dos Santos, që këtë sezon po shkëlqen me Real Betisin, ka rrëfyer për mediat braziliane se transferimi në Spanjë i ka ndryshuar jetën.
Kjo, sipas tij, pas një periudhe të vështirë personale dhe sportive që kishte kaluar te Manchester United.
“Ardhja te Betis më ndryshoi shumë sepse kisha nevojë të rigjeja vetveten pas gjithçkaje që kalova në jetën time personale”, është shprehur ai. “Nuk isha i lumtur. Nuk ndjeja më dëshirën për të luajtur futboll, dhe kisha nevojë të isha sërish i lumtur sepse futbolli ka qenë gjithmonë pasioni im”.
Braziliani ka treguar se periudha në “Old Trafford” ishte ndër më të vështirat në karrierën e tij. “Kalova kohë të vështira te Manchester United, kur nuk ndjeja më kënaqësi në lojë. I thashë edhe vëllait tim se nuk mundesha më”, ka theksuar ai.
Performanca e tij në Spanjë këtë sezon ka qenë mbresëlënëse, me nëntë gola dhe katër asistime për Betis.
Klubi andaluzian tashmë po punon për ta mbajtur në skuadër, por përballet me konkurrencën e fortë nga klube si Atletico Madrid.
Forma e tij ka tërhequr gjithashtu vëmendjen e përzgjedhësit të ri të Brazilit, Carlo Ancelotti, i cili e ka rikthyer Antony në kombëtare për herë të parë pas një kohe të gjatë.
