Analizë: Votuesit e subjekteve tjera përcaktuan fituesin në Prishtinë
Përparim Beqiri
Nëse i shohim shifrat e balotazhit në Prishtinë, del qartë se Hajrulla Çeku ka përfituar rreth 9 mijë vota më shumë krahasuar me rundin e parë. Pyetja kryesore është se nga cili segment i elektoratit kanë ardhur këto vota.
Duke analizuar rezultatin e subjekteve që kanë mbetur jashtë garës, duket se pjesa më e madhe e votave të “Lidhjes për Prishtinën” janë orientuar drejt Çekut. Ky subjekt kishte mbi 7.400 vota në garën për Asamble, dhe një pjesë e konsiderueshme e tyre – gjasat janë mbi gjysmën – kanë shkuar tek kandidati i Vetëvendosjes.
Në anën tjetër, Përparim Rama ka përfituar dukshëm më shumë – rreth 11 mijë vota shtesë. Kjo rritje vjen kryesisht nga votuesit e PDK-së, që tradicionalisht kanë më shumë prirje të votojnë kundër Vetëvendosjes në raundin e dytë. Megjithatë, një pjesë e vogël e këtij elektorati mund të ketë ndërruar kahun, sidomos në lagje me ndikim të fortë të VV-së.
Sa për votat e AAK-së, rreth 3.300 gjithsej, gjysma e tyre me gjasë kanë përfunduar te Përparim Rama, ndërsa pjesa tjetër është shpërndarë ose ka abstenuar.
Një faktor tjetër, më i vogël në numër por me peshë simbolike, janë edhe votuesit e Nismës. Edhe pse ky subjekt nuk ka arritur shifra të mëdha në kryeqytet, shumica e elektoratit të tij duket se ka votuar për Përparim Ramën, si vazhdim logjik i qëndrimeve më afër kampit të LDK-së.
Në përmbledhje: votat e “Lidhjes për Prishtinën” kanë qenë faktor kyç në rritjen e Çekut, ndërsa Përparim Rama ka përfituar kryesisht nga mbështetësit e PDK-së dhe pjesërisht nga AAK-ja./Kosova.info/
