Analizë e librit shkencor “Mikel Summa – Arqipeshkëv i Shkupit (1695–1777)”
Don Frok Zefit, meshtar dhe studiues i përmasave kombëtare dhe ndërkombëtare
Shkruan: Lekē MRIJAJ
Libri i don Frok Zefit nuk është vetëm një monografi kishtare, por një mozaik shumëdimensional, ku historia, feja, kultura dhe identiteti kombëtar shqiptar gërshetohen në një narrativë të gjallë për brezat në vijim. Mikel Summa del në skenë jo si një figurë e thjeshtë e kalendarit kishtar, por si një personalitet që mishëron dramën dhe shpresën e një kombi të vogël nën zgjedhën e perandorisë osmane. Hyrja e librit është e mbushur me qartësi historike dhe mision, duke korrigjuar shtrembërimet e burimeve të huaja e sidomos të historiografisë serbe, e cila shpesh ia ka mohuar shqiptarësinë dhe dimensionin katolik të Summës.
Pjesa e parë – Origjina, emri dhe formimi. Rrënjët e Summës janë të ngulitura thellë në tokën shqiptare. Autori ndalet në analizën e origjinës së tij familjare, në përkatësinë krahinore dhe në simbolikën e mbiemrit “Summa”, që lidhet me një traditë të hershme. Këtu zbulojmë një dimension antropologjik: shqiptarët, përmes brezave, i ruajtën kujtimet për njerëzit që mbartnin peshën e fesë dhe të identitetit. Formimi i Summës është një proces i dyfishtë: akademik dhe shpirtëror. Shkollimi i tij në kolegjin ilirik të Fermos tregon se ai ishte i përgatitur sipas standardeve të kohës evropiane, duke u betuar si prift shekullar. Kjo e dallon atë nga shumë bashkëkohës, sepse e lidh drejtpërdrejt me misionin e përhershëm të Kishës Katolike shqiptare. Ky kapitull e paraqet Summën si produkt të një kohe të trazuar, por edhe si rezultat i një edukate të qëndrueshme që e përgatiti për sfida të mëdha. Pjesa e dytë Nga misionar në Arqipeshkëv të Shkupit. Ky kapitull është bërthama e veprës, sepse aty shfaqet dimensioni baritor dhe politik i Summës. Si misionar apostolik, ai shërbeu në treva të vështira të Kosovës, Maqedonisë dhe Malësisë, duke përballuar varfëri, represion dhe islamizim të dhunshëm. Raportet e tij drejtuar Selisë së Shenjtë janë dëshmi historike dhe shpirtërore njëkohësisht: aty pasqyrohet gjendja e popullit, por edhe rezistenca e tij morale. Ngjitja e tij si Arqipeshkëv i Shkupit më 1728, i shuguruar nga Papa Benedikti XIII, ishte kulmi i përpjekjeve të tij. Autori thekson dimensionin kishtar (mbrojtja e besimtarëve), politik (rezistenca ndaj pushtetit osman), dhe kulturor (ruajtja e identitetit shqiptar). Këtu shfaqet për herë të parë figura e Summës si prijës i popullit, jo vetëm si bari i shpirtit. Pjesa e tretë. Kelmendasit dhe arratia e përbashkët. Një nga pjesët më prekëse të librit është lidhja e Summës me kelmendasit. Ky kapitull e vendos atë në një dimension epik: një arqipeshkëv që nuk i braktis besimtarët, por shkon me ta në arrati. Historia e kelmendasve është histori e një fisi që i mbijetoi dhunës përmes besës dhe qëndresës, dhe Summa bëhet pjesë e kësaj epopeje. Autori e pasqyron këtë moment si bashkë vuajtje dhe bashke mbijetesë, duke treguar se Kisha nuk ishte një institucion i largët, por një nënë që ndante fatin e fëmijëve të saj. Pjesa e katërt. Shpërngulja dhe mungesa në Shkup. Ky kapitull nxjerr në pah një paradoks tragjik: ndërsa mungesa e Summës solli boshllëk në arqipeshkvinë e Shkupit, prania e tij në Srem u bë dritë për shqiptarët e shpërngulur. Autori e përshkruan këtë periudhë si një kohë të dyfishtë: dhimbje për ata që mbetën pas, dhe shpresë për ata që e ndoqën në mërgim. Ky është dimensioni diasporik i figurës së Summës – ai bëhet simbol i Kishës që e ndjek popullin edhe në dhe të huaj. Pjesa e pestë. Osijeku: një vendbanim i ri dhe sfida të reja Vendosja e Summës në Osijek e hap një kapitull të ri. Si pensionist perandorak, ai duket sikur është larguar nga misioni, por realiteti është tjetër: ai emërohet vikar sufragan dhe vazhdon të udhëheqë. Autori këtu shpalos dimensionin juridiksional dhe baritor, duke treguar se edhe në kushte të reja, ai ruajti autoritetin e tij. Marrëdhëniet e tij me komunitetin shqiptar dhe me farefisin në Osijek janë dëshmi se ai nuk e humbi asnjëherë lidhjen me rrënjët. Pjesa e gjashtë. Komuniteti shqiptar dhe krijimtaria poetike. Ky është kapitulli ku autori i jep librit një frymë kulturore dhe letrare. Dy poezitë e rastit, të lidhura me Summën, e tregojnë atë si frymëzues të ndjenjës poetike dhe shpirtërore. Komuniteti shqiptar në Osijek nuk ishte thjesht një diasporë, por një vatër ku ruhej kujtesa, kultura dhe besimi. Kjo pjesë e librit e zgjeron figurën e Summës nga bari shpirtëror në mbrojtës të trashëgimisë kulturore shqiptare. Pjesa e shtatë. Kronologjia e veprimtarisë në Osijek. Autori rendit me përpikëri kronologjike jetën e Summës në Osijek, duke e ndarë në periudha dekadash. Kjo është një strukturë analitike, që e paraqet atë jo vetëm si një njeri të historisë, por si një figurë që vazhdimisht mbeti aktiv deri në fund. Kronologjia është dëshmi e qëndrueshmërisë së tij, e faktit se as sëmundjet, as pleqëria nuk e ndalën nga shërbimi. Pjesa e tetë më titull, Fundi i jetës dhe trashëgimia. Ky kapitull është një epilog i madhështisë së heshtur. Përshkruhen sëmundja, vdekja dhe përmendorja e Summës në Osijek. Varri i tij, epitafi dhe busti nuk janë thjesht kujtime, por gurë kujtese që e vendosin atë në panteonin e figurave kombëtare. Autori e sheh trashëgiminë e tij jo vetëm si kishtare, por edhe si kombëtare: një njeri që i dha Kishës një model shërbimi dhe kombit një shembull besnikërie. Krejtësisht ne fund e themi se libri i dom Frok Zefit është më shumë se një bio grafi: është një pasqyrë shumëdimensionale ku ndërthuren teologjia, historia, kultura dhe kombësia. Ai nuk kufizohet vetëm në faktet e thata, por i jep jetës së Summës frymë, kuptim dhe vend në kujtesën kolektive shqiptare. Në këtë vepër, Mikel Summa shfaqet si: Bari shpirtëror që mbron Kishën në kushte të vështira. Udhëheqës kombëtar që udhëheq kryengritje dhe arrati. At i diasporës që ruan identitetin shqiptar në mërgim. Figurë kulturore që frymëzon poezi dhe trashëgimi. Simbol historik që ngjiz kujtesën kombëtare për shekujt që do të vijnë.
Ky libër, i shkruar me kujdes të veçantë, nuk është vetëm një kujtesë për një arqipeshkëv, por një udhë rrëfimi për fatin e shqiptarëve në shekullin XVIII, duke e ngritur figurën e Summës në piedestal si një shenjë e gjallë e qëndresës, besimit dhe dashurisë për popullin.
