Analisti serb thotë se Kosova është e pavarur me ose pa njohje zyrtare

Publicisti Zlatoje Martinov ka thënë se është e pabesueshme se si qeveria aktuale në Serbi të ketë manipuluar për më shumë se një dekadë me “çështjen e Kosovës”.

Me këtë sipas tij, ka dashur të krijojë një përshtypje të përgjithshme se çështja e statusit të Kosovës nuk është zgjidhur dhe se dialogu në Bruksel gjatë gjithë këtyre viteve është zhvilluar gjoja rreth nevojës për një “zgjidhje kompromisi”.

Madje, siç vlerëson ai, është edhe më interesant që të ashtuquajturit gazetarë të mediave të pavarura në konferenca të shumta gjatë gjithë këtyre viteve, nuk e ballafaquan Aleksandar Vuçiqin me faktin se Kosova është de facto e pavarur me ose pa njohje zyrtare dhe se ka qenë e tillë që nga viti 2008.

“Referimi i rezolutës 1244 të OKB-së nga viti 1999 dhe pretendimi se asgjë nuk ka ndodhur që atëherë është një shpikje propagandistike e Aleksandar Vuçiqit dhe mediave të tij”, ka shkruar Martinov në një shkrim autorial në mediumin serb “Danas”, përcjell telegrafi.

Në këtë drejtim, ka shtuar ai, me dashje dhe me vetëdije po ‘harrohet’ se “shpallja e pavarësisë së Kosovës u bë në vitin 2008, se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë nxori një vendim më 22 korrik 2010 se shpallja e pavarësisë nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare”.

“Siç dihet, serbët janë të përfshirë në pushtetin ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor të Republikës së Kosovës, kanë marrë pjesë në zgjedhjet komunale dhe parlamentare në Kosovë sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, ministrat serbë në qeverinë e Kosovës si si dhe deputetët serbë në Kuvendin e Kosovës u betuan për besnikëri ndaj Kushtetutës së Kosovës dhe me ato akte u shfuqizuan institucionet paralele”, ka shkruar më tej ai.

Prandaj, vë në pah ai, Serbia ka kohë që nuk ka më kompetenca kushtetuese dhe ligjore në Kosovë.

“Por si qeveria ashtu edhe mediat besnike ndaj saj vazhdojnë të flasin për Kosovën si ‘krahinën tonë jugore’. Është vetëm në kokat dhe fantazitë e atyre që kanë humbur sensin e realitetit”, ka shkruar ndër tjerash ai.

Go to TOP