Analistët: Mesazhet e “Pesëshes së madhe” të merren seriozisht

Emisarët perëndimorë i kërkuan Prishtinës dhe Beogradit që të normalizojnë marrëdhëniet dhe ta zbatojnë marrëveshjen për normalizim. Ndërsa njohësit e zhvillimeve politike e konsiderojnë të domosdoshme që Kosova t`i marrë seriozisht mesazhet e pesëshes së emisarëve, derisa theksojnë se Bashkimi Evropian duhet ta sanksionojë Serbinë për sulmin terrorist.

Pas sulmit terrorist në Banjskë, u miratua rezoluta në Parlamentin Evropian, por me vizitën e pesë diplomatëve në Prishtinë, u kuptua se ka një plan të ri për dialogun, derisa vazhdimisht po bëhet thirrje nga BE dhe ShBA për depërshkallëzim të situatës.

Analistët në Kosovë vlerësojnë se BE duhet të dënojnë Serbinë duke i vënë masat, ndërsa Kosova është shumë me rëndësi që mesazhet e emisarëve t’i marrë seriozisht në koordinim të plotë me ShBA-në.

“Pa një dënim të Serbisë nuk mund të ketë as vazhdimësi të dialogut, e dialogu ndërkaq është tema e cila më së shumti u intereson aktualisht. Të gjithë kanë qenë të njëzëri, se duhet të dënohet intervenimi  i Serbisë në Kosovë, dhe për këtë arsye edhe masat janë të domosdoshme, pasi që duhet t’i jepet një leksion Serbisë se nuk mund të vazhdojë me këtë qasje”, tha analisti Artan Muhaxheri.

Ndërsa njohësi tjetër i zhvillimeve politike, Visar Xani tha se nga emisarët kishte mesazh të qartë për Serbinë, se pa një njohje praktike karshi Kosovës nuk do të ketë integrim edhe për ta.

“Prandaj është shumë me rëndësi të shfrytëzojmë momentumin dhe të jemi në harmoni të plotë me mbështetësit tanë strategjik për shkak se përmbyllja me e shpejtë e këtij procesi është fitore me e madhe për Kosovën se sa konfrontimi me ndërkombëtaret dhe moskordinimi me ta”, deklaroi Xani.

Kujtojmë, se nga vizita e djeshme e pesë emisarëve në Kosovë dhe Serbi, u kërkua nga palët që t’i plotësojnë tërësisht detyrimet e tyre brenda dialogut, ndërsa nga Parlamenti Evropian kërkohet po ashtu vendosjen e sanksioneve edhe ndaj aktorëve destabilizues në veri të Kosovës dhe liderët e rrjeteve kryesore të krimit të organizuar.

Go to TOP