Analistët: Dokumenti për ndërtimin e të ardhmës Kinë-Serbi, absurd

“Vazhdim i manovrimit të Serbisë mes Bashkimit Evropian, Rusisë, Kinës dhe ShBA-së”. Kështu po vlerësohet vizita e presidentit kinez dhe nënshkrimi i dokumentit për bashkëpunimin më të lartë strategjik dhe ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët mes Kinës dhe Serbisë.

Opozita pro-evropiane serbe thekson se kjo vizitë po shfrytëzohet për qëllimet politike të Aleksandër Vuçiqit.

“Është e palogjikshme që kryeministri i ri e renditi anëtarësimin në BE si një objektiv strategjik me një parashikim optimist se mund të ndodhë deri në vitin 2030, por që ngjarja kryesore politike e këtij viti është nënshkrimi ose zbatimi i marrëveshjes së tregtisë së lirë me Kinën. Kjo është e pamundur. Në ditën e anëtarësimit të Serbisë në BE, ajo marrëveshje nuk mund të mbetet më në fuqi”, deklaroi për RTK-në Pavlle Grboviq nga Lëvizja e Qytetarëve të Lirë.

Derisa pushteti në Serbi mburret se vizita e presidentit kinez është rezultat i politikës së përgjegjshme të Vuçiqit dhe se Serbia është vendi i parë në Evropë me të cilin Kina nënshkruan marrëveshje për një të ardhme të përbashkët, ekspertët theksojnë se kjo sjell paqartësi politike, dhe se Kina nuk mund të jetë një alternativë për Bashkimin Evropian.

“Pranimi i partneritetit strategjik, nëse nuk ndalet vetëm në marrëdhëniet ekonomike, por nëse hyn në disa sfera të tjera politike dhe nuk do të doja të ishte juridike, mund të përfaqësojë nga pikëpamja e BE-së dhe e Perëndimit një lloj kolone që ka interesa strategjike të kundërta me BE-në”, tha Vesna Rakiq Vodinelliq, profesoreshë në Fakultetin Juridik.

Ekspertët thonë se vizita e presidentit kinez tregoi se Serbia së bashku me Hungarinë është vendi që mund ta përfaqësojë hyrjen e Kinës në Evropë. Megjithatë, theksohet se kjo vizitë po dëmton imazhin e Serbisë në Evropë dhe nëse ky dëm do ta vështirësojë qasjen në BE mbetet të shihet.

Go to TOP