Analistët: Dialogu s`ka kuptim,pa trajtim si palë të barabarta të dy vendet

Një takim i mundshëm i nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit serb nuk pritet të ndodhë shpejt në Bruksel. Megjithatë, Brukseli ka vazhduar t`u bëjë thirrje të dyja vendeve që t`i zbatojnë të gjitha marrëveshjet. Së fundmi kërkesë e tyre është shtyrja e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për euron si valutë e vetme.

Për dinarin u fol edhe në Bruksel, por Kosova u përfaqësua nga guvernatori. Së këndejmi, njohësit e zhvillimeve politike po konsiderojnë se dialogu nuk ka kuptim të vazhdojë pa u trajtuar si palë të barabarta të dyja vendet.

Madje, zyrtarët në Bruksel ritheksuan se Kosova dhe Serbia nuk do te përparojnë drejt BE-së, nëse s’i zbatojnë ato.

Por sipas profesorit, Mazllum Baraliu, nisur nga qasja e bashkësisë ndërkombëtare për të mos i trajtuar palët barabartë, nuk mund të ketë dialog, e sidomos pas sulmit të Banjskës.

“Nuk do të ketë takim e para , nëse do të ketë do të prodhoj zero rezultate, sikurse edhe deri më tani që tre vite rezultatet e bisedave përveç imponimit të një akti që e kanë imponuar disa vende të Bashkimit Evropian , Franca dhe Gjermania , dy palëve e cili nuk është pranuar nga njëra palë ekskluzivisht nga tjetra është pranuar naivisht, nuk mund të ketë dialog derisa palët nuk trajtohen barabartë , derisa Kosova sanksionohet pa asnjë bazë dhe arsye”, ka thënë Baraliu për RTK.

Kurse analisti politik, Visar Xani, tha se procesi i dialogut duhet të intensifikohet në mënyrë që marrëveshjet të gjejnë zbatim sa më shpejtë, në të kundërtën e vlerëson si proces të komplikuar.

“Është një proces i komplikuar nëse nuk kemi rezultat deri në fundin e kësaj pranvere, pret një proces zgjedhor, si në Kosovë dhe në SHBA dhe BE. Të gjitha këto procese zgjedhore kanë ndikim në procesin e dialogut dhe mbetet të shihet se kur do të kemi rezultate të tjera. Për ne si Kosovë është me rëndësi që procesi i dialogut të mbyllet sa më shpejtë dhe të hapet rruga për t’i përdorur të mirat e dialogut në aspekt praktik dhe mos të kemi më shumë masa dhe presione ndaj Kosovës”, ka shtuar Xani.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë takuar ndaras muajt e fundit kryeministrin Kurti dhe presidentin serb. Një takim tjetër në Bruksel për çështjen e dinarit ishte javën e kaluar, por aty nga Kosova mori pjesë guvernatori i Bankës Qendrore.

Go to TOP