Amerikanët festojnë Ditën e Falënderimeve
Sot në Shtetet e Bashkuara është Dita e Falënderimeve që festohet çdo vit, të enjten e fundit të nëntorit. Kjo festë e ka origjinën në vitin 1621, kur evropianët e vendosur në Shtetet e Bashkuara u ulën për të darkuar së bashku me banorët indigjenë të Amerikës në qytetin Plymouth në shtetin e Masaçusets.
Megjithëse amerikanët tani e festojnë Ditën e Falënderimeve të enjten e katërt të nëntorit, historianët nuk mund ta përcaktojnë datën e saktë se kur u festua për herë të parë Dita e Falënderimeve.
Sipas ekspertëve, ushqimet që u shtruan në darkën e parë të Falënderimeve ishin ndryshe nga gjeli i detit, patatet e skuqura dhe misrat e zier, gatimet e njohura sot si tradicionale të kësaj feste.
Në vitin 1863, gjatë Luftës Civile, Dita e Falënderimeve u bë një festë kombëtare. Presidenti Abraham Lincoln nxiti idenë për një Ditë Falënderimesh për arsye strategjike.
Një grua me emrin Sarah Josepha Hale, redaktore e një reviste për gratë, ndikoi për të bindur Presidentin Lincoln se një festë kombëtare për dhënien e Falënderimeve do të ndihmonte të bashkonte vendin e dërrmuar nga lufta.
Sot, trashëgimtarët e banorëve autoktonë të Amerikës e shënojnë ditën e Falënderimeve në mënyra të ndryshme. Disa e konsiderojnë atë një ditë zie duke pasur parasysh kolonizimin e shpejtë dhe zhvendosjen e anëtarëve të fisit të tyre. Të tjerë mblidhen me familje, por pa pasur në mendje pelegrinët.
