Ambasadorja e Izraelit në Kosovë: Irani po vazhdon me kërcënime

Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv ka treguar se ka mbetur në Tel Aviv në pamundësi për të udhëtuar në Kosovë për shkak të anulimit të fluturimeve, pas sulmit të së shtunës.

Ajo në “Lajmet e Fundit” në RTK tha se situata për momentin është e qetë, megjithatë tregoi se nata e së shtunës ishte shumë e frikshme për Izraelin.

“Besoj se e dini që të shtunën mbrëma ka qenë shumë e frikshme situata, kemi marrë njoftimin që Irani kishte vendosur të lansonte raketa balistike, raketa kruzë dhe dronë vetëvrasës drejt Izraelit dhe rreth orës 2:00 në mëngjes këto raketa filluan të arrijnë mbi qiellin e Izraelit, dikund rreth 300 raketa e dronë”, tha mes tjerash ambasadorja.

Ajo tutje falemnderoi të gjithë aleatët e Izraelit që ndihmuan të ballafaqohen me këtë sulm.

“Kemi ndalur 99 përqind të këtyre dronëve dhe raketave dhe sasia që kanë hyrë në Izrael ka qenë shume e vogël”, deklaroi ambasadorja Ziv.

Tutje ajo tha se përfaqësues të Iranit vazhdojnë të kërcënojnë.

“Irani për 40 vjet më radhë ka theksuar se dëshiron ta shkatërrojë Izraelin dhe e pamë se çka është e aftë të bëjë, dhe ka kërcënuar të bëjë edhe më shumë nëse Izraeli vepron në kundërsulm. Besoj që kjo është provë që bota duhet të veprojë kundër Iranit, e të ndalë zhvillimin e armëve nukleare sidomos”, theksoi mes tjerash ambasadorja e Izraelit në Kosovë.

Duke folur për synimet e Kosovës për anëtarësimin në KiE dhe votimin që do bëhet të martën në Asamblenë Parlamentare, ambasadorja Ziv tha se Izraeli dëshiron që Kosova sa më shpejtë të behët anëtare fuqiplotë e kësaj organizate.

Go to TOP