Ambasadori i OSBE-së bën thirrje për zgjidhje urgjente të krizës në RTK

Ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Gerard McGurk, ka zhvilluar një takim me ushtruesin e detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), Hysen Hundozi, ku është njohur nga afër me sfidat dhe rreziqet me të cilat përballet transmetuesi publik.

“E vlerësova takimin me z. Hundozi dhe mundësinë për të dëgjuar drejtpërdrejtë nga udhëheqësia e RTK-së për sfidat aktuale. Përsërita thirrjen e fuqishme të @OSCEKosovo për nevojën urgjente për të zgjidhur situatën e vazhdueshme që po ndikon RTK-në”, ka deklaruar McGurk, njofton OSBE në një postim në Facebook.

Ai theksoi se RTK, si transmetues publik, luan një rol jetik në garantimin e qasjes së të gjitha komuniteteve në informacione të sakta, të paanshme dhe në kohë. Sipas tij, bllokada institucionale aktuale kërcënon pavarësinë dhe vazhdimësinë e RTK-së dhe minon të drejtën themelore të qytetarëve për informim.

Ambasadori McGurk nënvizoi rëndësinë e miratimit të një ligji për RTK-në, i cili do të siguronte një model të qëndrueshëm financimi në afat të gjatë. Ai konfirmoi përkushtimin e Misionit të OSBE-së për të mbështetur këtë proces.

“Misioni i OSBE-së u bën thirrje të gjitha institucioneve dhe aktorëve relevantë të veprojnë me shpejtësi për të garantuar funksionimin e pandërprerë të RTK-së përpara zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, duke siguruar gjithashtu pavarësinë financiare dhe stabilitetin afatgjatë të këtij institucioni”, përfundoi ai.

Go to TOP