Ambasadori gjerman për vizat: Kjo është punë e kryer

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, ka folur për vendimin e sotëm të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së që t’i japin dritën e gjelbër liberalizimit të vizave për Kosovën.

Rohde në Rubikon tha se sot është ditë e mirë për Kosovën, derisa përsëriti se është ambasadori i fundit gjerman që do ta pyesim për liberalizimin e vizave.

“Mendoj se është ditë e mirë për Kosovën, por po ashtu dhe për BE-në, në veçanti edhe për Gjermaninë, meqenëse kemi një seksion shumë të madh për viza dhe i kuptoj njerëzit kur janë skeptik, sepse kanë kaluar disa vite me këtë vonesë dhe për ne gjithmonë ishte një vendim që është dashur të merrej kahmoti, por do të fillojë më së largu me 1 janar 2024, që i bie edhe një vit, megjithatë tani shkon drejtpërdrejt drejt negociatave me Parlamentin Evropian, ndërsa Parlamenti Evropian është edhe më shumë për vizat, sesa siç e dini disa shtete anëtare deri më tani. Kështu që jam i bindur ta them siç e kam thënë para pak kohësh në një emision se jam ambasadori i fundit gjerman pa liberalizim të vizave dhe shpresoj se jemi në fund”, tha Rohde në Rubikon të Klan Kosovës.

Ai shtoi se procesi i liberalizimit të vizave nuk lidhet me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, derisa u shpreh i bindur se vizat tashmë janë punë e kryer.

“Çështja e vizave nuk lidhet me dialogun. Ne e duam liberalizimin e vizave dhe dua të ua jap një shembull, nëse një biznesmen do të shkojë në një panair në Gjermani ose ndonjë vend tjetër evropian, për neve është një pengesë për të rritur marrëdhëniet tregtare dhe jam me të vërtetë i bindur se kjo tani është vendosur nga 27 ambasadorët e BE-së edhe është punë e kryer” deklaroi Rohde.

Go to TOP