Ambasada e ShBA-së në Tiranë reagon pas sulmeve ndaj kreut të SPAK-ut

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri ka ritheksuar mbështetjen për organet e drejtësisë që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë. Ajo përshëndeti deklaratën e një dite më parë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i cili shprehu shqetësim për deklarimet “e subjekteve të veçanta në mediat audio-vizive dhe ato elektronike, lidhur me prokurorët e Prokurorisë së Posaçme dhe kreun e saj”.

Ndër tjerash, Ambasada amerikane përshëndet dënimin nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë të sulmeve të drejtpërdrejta dhe të tërthorta kundër Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK), në ditët dhe javët e fundit.

“ShBA-ja qëndron në krah të profesionistëve të drejtësisë që e respektojnë ligjin dhe do t’i mbështesë të gjithë ata që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë”, thuhet në një njoftim të Ambasadës së ShBA-së të publikuar në rrjetet sociale.

Më tej theksohet se ShBA-ja qëndron në krah të shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë që mbështesin institucionet e reja të drejtësisë dhe rolin kyç që ato luajnë në demokracinë e Shqipërisë.

Reagimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Ambasadës amerikane në Shqipëri u bë pasi së fundi kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili ka mbajtur disa funksione të larta, drejtoi disa akuza dhe sulme kundër kreut të SPAK, Altin Dumani.

Ndërkohë, Ilir Meta doli sërish të mërkurën para mediave. Ai tha se mbështet deklaratën e Ambasadës së ShBA-së, por nuk e ndali sulmin ndaj kreut të SPAK-ut.

“Nuk pres që ai (kreu i SPAK-ut) të bëjë drejtësi, synon të prodhojë statistika, bën drejtësi të telekomanduar dhe dridhet para Edi Ramës. Populli do të marrë vendime për të arrestuar ndonjë kryebashkiak apo prokuror”, tha Meta.

Ai pretendoi se kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, i ka çuar njerëz që t’i thonë të largohet nga Shqipëria.

“Ke çuar dhe njerëz që të më mbushin mendjen që të iki nga Shqipëria. Të kanë thënë amerikanët të më fusin mua në burg… kur të duash ti! Ilir Meta nga burgu do ta shkrijë atë celulë kriminale”, u shpreh Meta të mërkurën.

Dy ditë më parë, në një intervistë televizive, Meta kishte thënë se kreu i SPAK-ut është takuar me ish-agjentin e FBI-së, Mcconigal.

Kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, kishte reaguar për mediat duke theksuar se “nuk ka pasur asnjë takim me McGonigal, dhe se emrin e tij e ka dëgjuar vetëm pas publikimit të lajmeve në mediat shqiptare.

Ndërsa, një ditë më vonë, Meta tha se nuk pret sinqeritet nga një “i papërgjegjshëm dhe delikuent” siç e cilësoi ai kreun e SPAK-ut.

“Laraskat mund t’i kapin, por jo Partinë e Lirisë, ka 300 mijë Vojo Kusha! I ka këtu në Amerikë, Bruksel e në të gjithë botën”, tha Meta duke iu referuar heroit të luftës antifashiste që u hodh mbi tank në tetorin e vitit 1942 (Vojo Kushi).

Ish-presidenti i Shqipërisë Ilir Meta është marrë në pyetje disa herë nga SPAK-u në lidhje me aferën ‘CEZ-DIA’.

Në nëntor të vitit 2023 ka qenë hera e fundit që Meta është intervistuar nga SPAK-u lidhur me këtë çështje. Në atë kohë ai pati deklaruar se hetimet janë një ‘telenovelë’ dhe se çështja po përdoret politikisht nga kryeministri Edi Rama. Ai tha se nuk ka marrë asnjë vendim që do ta përfshinte atë në këtë aferë.

Go to TOP