Aliu: Në 22 komuna do të instalohen mbi 330,000 numra zyrtarë të adresave

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka bërë të ditur se ka filluar implementimi i projektit për vendosjen e numrave të objekteve dhe ndërlidhjes së qytetarit me adresë zyrtare.

Ai tha se në 22 komuna të vendit do të instalohen mbi 330,000 numra zyrtarë të adresave.

Sipas tij, kjo do të përmirësojë sigurinë dhe do të nxisë zhvillimin e qëndrueshëm dhe planifikimin më të mirëfilltë urban të komunave.

“Gjithsej, në 22 komuna të vendit do të instalohen mbi 330,000 numra zyrtar të adresave – një hap i rëndësishëm drejt standardizimit të adresave, që do t’i ndihmojë qytetarët në regjistrimin e adresave të sakta, do të përmirësojë sigurinë dhe do të nxisë zhvillimin e qëndrueshëm dhe planifikimin më të mirëfilltë urban të komunave”, ka shkruar Aliu në Facebook.

Tutje Aliu tha se projekti i ndërlidhjes së qytetarit me adresën zyrtare do të sjellë përfitime të mëdha për qytetarët.

“Adresë unike për të gjitha shërbimet komunale, si pranimi i faturave për ujë dhe energji elektrike; planifikim më të mirë të shërbimeve shëndetësore, sa më afër qytetarëve; organizim efektiv të çerdheve dhe shërbimeve të tjera komunale; pranimin e dokumenteve në adresën tuaj dhe shumë përparësi të tjera. Urojmë të gjithë qytetarët dhe komunat për këtë iniciativë dhe inkurajojmë angazhimin e tyre në mirëmbajtjen e sistemit të adresave”, ka shkruar tutje Aliu. /Kosova.info/

Go to TOP