Aliu nderon deputetët shtimjanë të Kushtetutës së Kaçanikut në 35-vjetor

Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, ka shënuar 35-vjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut duke nderuar me mirënjohje deputetët shtimjanë që morën pjesë në atë akt historik. Me këtë rast, ai i dorëzoi mirënjohje z. Nazmi Fejzullahu dhe të ndjerit z. Basri Bajrami (post-mortem).

Aliu priti në takim z. Fejzullahun dhe familjarët e Bajramit, ku ndanë kujtime dhe ndjenja krenarie për kontributin e tyre. Ai theksoi se në këtë ngjarje madhore historike e kombëtare, Shtimja u përfaqësua nga tre deputetë: Nazmi Fejzullahu, Muhamet Shabani dhe i ndjeri Basri Bajrami, të cilët bashkë me kolegët e tjerë patën guximin që në kohë represioni të shpallnin Kosovën Republikë.

“Krenar që nga komuna jonë dolën personalitete të tilla që kontribuuan për Kosovën e lirë, të pavarur dhe sovrane. Respekt e falënderim për kontributin e tyre të çmuar dhe për të gjithë veprimtarët e shtetit tonë”, deklaroi Aliu.

Ngjarja u vlerësua si një kujtesë e rëndësishme e sakrificës dhe vendosmërisë së përfaqësuesve të popullit të Kosovës në vitin 1990. /Kosova.info/


Go to TOP