Albin Kurti pas 5 viteve, thotë Hoti bëri marrëveshje të mirë në Uashington, por mbështetësit e tij u dënuan nga gjykata!
Shkruan: Idriz MORINA
I motivuar nga retorika akuzuese e Vetëvendosjes, mërgimtari Reshat Sadiku, e kishte kërcënuar në vitin 2022 me vrasje ish-kryeministrin Avdullah Hoti, “Ty mor bugar vetëm kosa të vjen hakesh”.
Në gusht të vitit 2023, ai u dënua me kusht dhe me para, pasi i kishte kërkuar falje duke iu përgjunjur Hotit në gjykatë.
Klima e dhunës ndaj Hotit u krijua pas nënshkrimit nga ana e tij e marrëveshjes së Uashingtonit, e bërë gjatë presidencës së Trampit, në vitin 2020! Marrëveshja kishte kryesisht karakter ekonomik, si thoshte asokohe administrata e Trampit, ai do të përpiqej të zgjidhte mosmarrëveshjet ndërmjet Kosovës e Serbisë, duke ofruar zgjidhje ekonomike, të cilat më lehtë do të çonin në pajtim!
Vetëvendosja, madje edhe në parafushatën e këtyre zgjedhjeve s’ka pushuar, që nëpwrmjet makinerisë së saj të frymëzojë mbështetësit e saj në rrjete sociale që ta sulmojnë Hotin dhe LDK-në, për një marrëveshje të dëmshme për vendin.
Por, gati pesë vjet pas asaj marrëveshje, kryeministri aktual Albin Kurti, duke tentuar të zbusë raportet me administratën Tramp, për herë të parë deklaron krejtësisht të kundërtën që e ka thënë e propaganduar ai dhe partia e tij, se ajo marrëveshje e kishte prioritet promovimin e stabilitetit!
“Gjatë mandatit të Trump, u prioritizuan marrëveshjet ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për të promovuar stabilitetin” – ka thënë Kurti në një intervistë për gazetën spanjolle “El Mundo”.
Por, kur ajo marrëveshje ishte bërë dhe me tone të njëjta përcillej për vite nga makineria propagandistike e VV-së, Kurti e kishte quajtur nga më të dëmshmet.
Ashtu e klasifikonte edhe Konjufca.
Janë të shumta, dhe thuajse nuk ka mbetur asnjë marrëveshje apo vendim i kritikuar fuqishëm, i qeverive apo institucioneve të tjera, dhe nëpërmjet të cilës propagandë krijoi edhe vota, e që ai nuk i ka përmbysur qëndrimet e veta.
E fundit para kësaj, ishte rikonfirmimi me anë të nje letre nga Ministria e Mbrojtjes, në emër të Qeverisë, se FSK-ja, nuk do të shkelte në veri pa rënë dakord paraprakisht KFOR-i, pikërisht ashtu siç ishte zotuar sa ishte kryeministër Hashim Thaçi, në vitin 2013.
Gjatë gjithë kohës deri në dërgimin e kësaj letre ai nuk kishte lënë së bashku me makinerinë e tij propagandistike, që të akuzonte për gjithçka Thaçin për atë letër, duke e bërë paturpësisht të njëjtën gjë pas 11 vitesh.
As ajo letër, dhe as kjo e tashmja nuk kanë më asnjë kuptim, por janë pasojë e qasjeve të gabueshme, e para për qëllime përfitimi, e dyta nga mungesa e kontrollit të narcizmit të Kurtit.
Qeveria Kurti u detyrua ta bënte këtë, pasi për muaj të tërë ushtroi trysni publike dhe retorike, se ura mbi Ibër do të hapej së shpejti, dhe ndërkohë që po mundohej ta përfshinte FSK-në, në një mënyrë, duke vepruar në kundërshtim me udhëzimet amerikane.
Hapjen e urës për automjete, edhe pse katër ura tjea janë funksionale, donte ta bënte për qëllime votash, dhe ta deklaronte, se “e ktheu plotësisht sovranitetin në veri”, ani se sot e asaj dite, atje kufijtë dhe barrën kryesore të qetësisë atje e ka KFOR-i.
Ndërsa, pas arritjes së Marrëveshjes ndërmjet tij dhe Vuçiqit në Bruksel dhe Ohër, VV-ja, e kryetari i Kuvendit filluan ta kërkojnë Letrën e Mogherinit, si një letër zotimi për kryeministrin e kohës, Isa Mustafa, sipas të cilës asociacioni nuk do të përbënte nivel të tretë të pushtetit në Kosovë.
Por, fatkeqësisht marrëveshja Bruksel-Ohër e Kurtit, e ka krijuar mundësinë për shtet paralel brenda shtetit, dhe që kisha ortodokse serbe të formalizohet brenda institucioneve të Kosovës, duke krijuar si thonë ekspertët kushtetues, “kushtetutë materiale”!
