Albin Kurti e vrau sërish këmbën e vet
Shkruan; Xhafer ShATRI
Të gjithë e dimë se sistemi i drejtësisë në Kosovë, dhe jo vetëm, në një masë kontrollohet nga SHIK-u, që ishte, është dhe mbeti koordinatori kryesor i veprimeve shtetrrënuese në Kosovë.
Ky ishte njëri ndër shkaqet pse elektorati vendosi që ata, që personifikoheshin me shikun dhe shërbeheshin me të, të shkojnë në opozitë.
Ani se është në pushtet, qe 4 vjet, dhe, si askush tjetër, kishte një shumicë solide në Parlament, Qeveria Kurti nuk arriti ta transformojë, përmes Kuvendit natyrisht, sistemin e drejtësisë, jo për ta kontrolluar vet, por për ta bërë që ky Sistem të jetë vetvetja: i pakapshëm dhe i pakorruptueshëm!
Me një fjalë i BESUESHËM!
Bindja ime është se kjo ka ndodhur, më së shumti, për shkak të mungesës evidente të aftësisë qeverisëse.
Kjo dëshmohet edhe tash me refuzimin e kryeministrit që të shkojë për të dhënë dëshmi në Prokurorinë speciale.
Në pikëpamjen time kjo është vetëvrasje politike, sepse përmes këtij veprimi kryeministri Kurti po dëshmon se nuk është i interesuar ta pastrojë dhe reformojë sistemin e drejtësisë, por ta bëjë vegël të vetën, siç e kishin bërë disa paraardhës të tij, kryeministra.
Pra të shkojnë prokurorët dhe hetuesit gjyqësore në zyrat dhe në banesat e funksionarëve të shtetit për t’i marrë në pyetje!
Kjo, thënë më së buti, është jo vetëm mosnjohje elementare e funksionimit të shtetit të së drejtës, por shkelje me vetëdije e ligjit dhe tallje me organet e drejtësisë.
Një shtetar serioz nuk do t’ia lejonte kurrë vetës këtë luks.
