Aksion në Shtërpcë kundër strukturave ilegale serbe

Me urdhër të Gjykatës Themelore të Ferizajt, Policia e Kosovës të enjten, më 7 korrik, po kryen një aksion për të sekuestruar kamera të sigurisë të vendosura nga strukturat ilegale serbe në Komunën e Shtërpcës.

Prokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Rasim Maloku, bëri të ditur për REL se aksioni është duke u zhvilluar në katër lokacione në këtë komunë, përfshirë edhe në objektin e komunës së strukturave ilegale serbe.

“Jemi duke e zbatuar një urdhëresë të gjykatës për kontrollin dhe sekuestrimin e gjësendeve që janë në objektin e komunës së strukturave ilegale dhe në tri lokacione të tjera, ku dyshohet se janë të vendosura pajisjet për monitorim të këtyre kamerave të sigurisë që janë vendosur në komunë, në rrugë publike nga strukturat ilegale. Vetëm ato që janë të vendosura nga strukturat ilegale e edhe kamerat që janë të vendosura nga institucionet tona publike”, tha ai.

Ky rast, sipas Malokut, nuk është i lidhur me rastin “Brezovica”, që ka të bëjë me keqpërdorimet në dhënien e lejeve të ndërtimit në qendrën turistike të Brezovicës.
E vetmja lidhje, sipas tij, është se ish-kryetari i Komunës, Bratislav Nikoliq, ka qenë edhe koordinator i strukturave ilegale në këtë komunë.

“Ky [aksion] është ndërlidhur me rastin ‘Brezovica’ pasi që ish-kryetari i Komunës [së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq] ka qenë edhe koordinatori i strukturave ilegale. Megjithatë, është rast i veçantë, meqë nuk ka të bëjë me ndërtimet atje. Mirëpo, është ndërlidhur vetëm për shkak të personit kryesor që ka qenë edhe kryetar i këtyre strukturave ilegale. Por, këto janë organe jokushtetuese, për këtë arsye kemi ndërmarrë edhe këtë që t’i mbyllim dhe t’i sekuestrojmë të gjitha pajisjet edhe dokumentacionin në bazë të të cilëve kanë operuar”, tha Maloku.

Aksioni po zhvillohet në katër lokacione, por edhe në vendet ku janë vendosur kamerat, siç janë shtyllat ndriçuese në rrugët e kësaj komune.

Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe: Aksioni në Shtërpcë, për të frikësuar serbët

Zyra për Kosovë ne Qeverinë e Serbisë tha se qëllimi i këtij aksioni ishte frikësimi dhe maltretimi i serbëve në këtë komunë.

Sipas komunikatës të lëshuar nga kjo Zyrë, forcat policore kanë hyrë në një shkollë fillore në Brezovicë, në objektin e postës serbe në fshatin Drajkovcë, po ashtu është kontrolluar ndërtesa e komunës e cila funksionon në sistemin serb nga ku “është marrë i tërë dokumentacioni dhe kompjuterët”.

Degradimi i Brezovicës
FotogaleriDegradimi i Brezovicës

Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe shton se kontrolli është bërë edhe në televizionin lokal, Herc, dhe se nga shtyllat ndriçuese janë hequr kamerat.

Sipas zyrës, këto kamera, “të cilat legalisht u vendosën para 10 vjetësh“, nuk janë në funksion që disa vite dhe se “Prishtina zyrtare e di këtë”.

“Nuk ka dyshim se ky është një sulm i ri dhe presion mbi serbët që të largohen nga shtëpitë sepse nuk ka arsye për këtë aksion të ri në këtë komunë serbe“, tha Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe.

Ndryshe, rasti “Brezovica” është iniciuar nga Prokuroria Themelore e Ferizajt në fundin e vitit të kaluar dhe ky rast ende po vazhdon. Nikoliq, sipas Prokurorisë, dyshohet se ka përfituar deri në 1 milion euro për lejet e lëshuara në mënyrë të kundërligjshme për ndërtimin e objekteve në Brezovicë, që gjendet në Komunën e Shtërpcës.

Nikoliq dhe të arrestuarit e tjerë dyshohet se kanë marrë vila, dhurata, e vetura në këmbim të lëshimit të lejeve të ndërtimit.

Go to TOP