AKB: Ndërprerja e rrymës godet mbi 200 biznese, dëmet shumëmilionëshe
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka reaguar ashpër ndaj ndërprerjes së energjisë elektrike për mbi 200 kompani, që punësojnë mbi 10 mijë punëtorë, duke e quajtur këtë një krizë të paprecedent për bizneset në Kosovë.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, tha se veprimet e KEDS-it, me asistimin e policisë, kanë shkaktuar dëme shumëmilionëshe dhe kanë ndikuar negativisht në imazhin e vendit si destinacion për investime.
“Ndërhyrjet pa vendim gjykate janë të paligjshme dhe përbëjnë shkelje të të drejtave të bizneseve. AKB do të përdorë të gjitha mjetet juridike në mbrojtje të tyre”. u shpreh Shahini në një konferencë për media.
Ai kërkoi ndërprerjen e menjëhershme, siç tha, të fushatës ndaj bizneseve dhe hapjen e dialogut mes ZRRE-së, KEDS-it, qeverisë dhe komunitetit të biznesit, duke theksuar se çmimi i energjisë në Kosovë është më i larti në rajon.
Ndërkaq, përfaqësuesit e kompanive të prekura paralajmëruan pasoja serioze, përfshirë ndërprerjen e prodhimit dhe largimin e punëtorëve nga puna, si pasojë e ndërprerjes së energjisë. /Kosova.info/
