AKB kundër ZRRE, KEK dhe KESCO: Mjaft shantazhe – mos e fusni ekonominë në terr!

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka reaguar me ashpërsi ndaj paralajmërimeve të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe KESCO-s duke i quajtur ato kërcënime të papranueshme ndaj sektorit privat.

Sipas AKB-së, këto institucione po ushtrojnë presion ndaj bizneseve që deri më 1 gusht të nënshkruajnë kontrata të reja për furnizim me energji elektrike, në të kundërtën duke i kërcënuar me ndërprerje të furnizimit – një veprim që rrezikon ta fusë ekonominë e vendit në “terr”.

“Kjo është një formë e papranueshme shantazhi ndaj sektorit privat, që tashmë përballet me çmime të larta, pasiguri ligjore dhe mungesë mbështetje institucionale”, thuhet në reagimin e AKB-së.

Organizata kërkon që furnizimi me energji elektrike për bizneset të vazhdojë me çmim të rregullt edhe për gjashtë muaj të tjerë, në mënyrë që të krijohet hapësirë për negociata të drejta dhe transparente, larg kërcënimeve dhe pa rrezikuar ndërprerje që mund të dëmtojnë rëndë ekonominë e vendit.

Ndërkohë, shumë biznese tashmë i janë drejtuar gjykatave me ankesa kundër vendimeve të ZRRE-së dhe po sfidojnë mënyrën se si po imponohen kontratat dhe tarifat e reja.

AKB i bën thirrje ZRRE-së që të ndalë këto veprime të njëanshme dhe të ulet në një tryezë të përbashkët me përfaqësuesit e bizneseve për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme.

“Nuk mund të lejohet që sektori privat, që gjeneron mijëra vende pune dhe mban gjallë ekonominë, të mbahet peng nga vendime të padrejta dhe të nxituara,” deklaroi Agim Shahini, kryetar i AKB-së duke theksuar se kjo organizatë do të vazhdojë të mbrojë me vendosmëri interesat e bizneseve dhe të kërkojë politika të drejta, transparente dhe zhvillimore për ekonominë e Kosovës. /Kosova.info/


Go to TOP