AKB: Kosova po mbulohet me beton, por po zbrazet nga njerëzit
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka ngritur alarmin për gjendjen kaotike në sektorin e ndërtimit duke e cilësuar atë si një nga problemet më të mëdha zhvillimore që po përballet vendi.
Sipas të dhënave që ka publikuar AKB, mbi 75% e ndërtimeve në Kosovë janë pa leje banimi, ndërkohë që më shumë se 180 mijë banesa mbesin të zbrazëta. Shumica prej tyre janë blerë nga diaspora, por nuk shfrytëzohen dhe nuk kontribuojnë në zhvillimin real të ekonomisë.
Ky fenomen, sipas AKB-së, tregon mungesë të theksuar të politikave zhvillimore dhe planifikimit urban. Kapitali i diasporës, që duhej të shërbente si motor i ekonomisë, po përqendrohet në ndërtesa të pashfrytëzuara dhe jo në sektorë produktivë si prodhimi, eksportet dhe krijimi i vendeve të punës.
“Po ndërtojmë qytete të zbrazëta, me banesa të pashfrytëzuara, ndërsa rinia largohet çdo ditë”, thuhet në reagimin e AKB-së.
Kjo gjendje, sipas aleancës, rrezikon të shkaktojë tronditje financiare dhe të dëmtojë mirëqenien afatgjatë të qytetarëve.
AKB i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndërmarrë hapa urgjentë për: legalizim transparent të ndërtimeve; vendosje të rregullit në sektorin e ndërtimit dhe orientim të kapitalit të diasporës drejt zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.
Vetëm në këtë mënyrë, sipas saj, mund të krijohen vende të reja pune, të forcohet eksporti dhe të sigurohet një e ardhme më e qëndrueshme për vendin.
Në fund, kryetari i AKB-së, Agim Shahini, apeloi për vizion dhe përgjegjësi në politikat zhvillimore të Kosovës. /Kosova.info/
