AIP: Bizneset ta respektojnë Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale
Agjencia për Informim dhe Privatësi ka kërkuar nga bizneset që kur të vendosin kamera t’i respektojnë kriteret e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Në njoftim thuhet se bizneset që përdorin kamera për vëzhgim duhet që fillimisht të bëjnë vlerësimin se është e nevojshme vendosja e kamerave, dhe i njëjti veprim nuk mund të arrihet me mjete tjera, si psh: duke vendosur një ndriçim më të madh.
“Të marrin vendim për instalimin e sistemit të vëzhgimit me kamerë ku do të përshkruajnë qëllimin e vendosjes, numrin e kamerave, të caktojnë personin përgjegjës dhe kohëzgjatjen e ruajtjes së regjistrimeve (vini re, LMDhP ka paraparë që kohëzgjatja e ruajtjes së këtyre regjistrimeve të jetë më së shumti një (1) muaj, përveç nëse kërkohen ndryshe për qëllime legjitime)”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, bizneset duhet të informojnë personat e mbikëqyrur: të vendosin njoftime të dukshme që informojnë individët se zona është nën vëzhgim.
“Të përcaktojnë qëllimin dhe legjitimitetin: të sigurojnë që përdorimi i kamerave të jetë për qëllime të ligjshme dhe të përcaktuara qartë, si përmirësimi i sigurisë dhe parandalimi i krimeve. Të njoftojnë në mënyrë të duhur me shkrim të punësuarit lidhur me sistemin e vëzhgimit me kamerë dhe me të drejtat e tyre”, theksohet në njoftim.
Më tej, bëhet e ditur se bizneset duhet të mbrojnë të dhënat personale: të sigurojnë që të dhënat e mbledhura nga kamerat janë të mbrojtura nga qasja e paautorizuara dhe të përpunohen në mënyrë të ligjshme.
“Agjencia kërkon nga bizneset që të ndërmarrin veprime për vendosjen e këtyre masave që janë esenciale për të siguruar që bizneset të respektojnë të drejtat e privatësisë së individëve, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe të përmirësojnë sigurinë e tyre”, thekson njoftimi.