Ahmeti: Solidaritet me SHBA-në dhe mbështetje për stabilitetin global
Kryetari i Bashkimi Demokratik për Integrim ka deklaruar se qëndrimi i partisë dhe i shqiptarëve është i qartë dhe i palëkundur: solidaritet i plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me çdo përpjekje për mbrojtjen e paqes, stabilitetit dhe sigurisë ndërkombëtare.
Sipas Ahmetit, aleanca me SHBA-në nuk përfaqëson vetëm një orientim diplomatik, por një përcaktim strategjik dhe vleror.
“Është zgjedhja jonë për të qenë në anën e demokracisë, lirive themelore, shtetit të së drejtës dhe përgjegjësisë ndërkombëtare”, u shpreh ai, duke theksuar se populli shqiptar e njeh mirë rolin dhe mbështetjen amerikane në momentet vendimtare të historisë së tij.
Duke iu referuar zhvillimeve në Lindjen e Mesme, Ahmeti dënoi veprimet destabilizuese të Irani, të cilat, sipas tij, cenojnë sigurinë e vendeve të Gjirit dhe rrezikojnë arkitekturën e brishtë të paqes në rajon. Ai nënvizoi se politika e konfrontimit dhe eksportit të krizave nuk i shërben zhvillimit, bashkëjetesës dhe aspiratave legjitime të popujve për prosperitet.
Ahmeti theksoi gjithashtu se siguria në Gjirin Persik dhe në Lindjen e Mesme përbën interes global, duke përfshirë lirinë e qarkullimit, stabilitetin energjetik dhe luftën kundër terrorizmit. Në këtë kontekst, ai vlerësoi rolin e SHBA-së si të pazëvendësueshëm në garantimin e ekuilibrave dhe ruajtjen e stabilitetit ndërkombëtar.
Në përfundim, kreu i BDI-së riafirmoi se shqiptarët kanë zgjedhur pa ekuivok rrugën perëndimore dhe se janë pjesë e komunitetit euroatlantik, duke kontribuar aktivisht në paqen dhe sigurinë kolektive. “Mbështetja jonë për SHBA-në është mbështetje për një botë më të sigurt, më të drejtë dhe më të lirë”, theksoi ai.
