Agjencia për Informim dhe Privatësi bën thirrje për publikim proaktiv të informatave nga institucionet publike në Ditën Ndërkombëtare për Qasje Universale në Informacion

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Qasje Universale në Informacion, më 28 shtator 2024, Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka bërë thirrje për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies nga institucionet publike përmes publikimit proaktiv të informatave.

Si organ monitorues për zbatimin e Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, AIP thekson rëndësinë e qasjes në informacion si e drejtë themelore e garantuar me ligj dhe Kushtetutë.

Në kuadër të kësaj dite, AIP ka organizuar “Javën e Qasjes në Dokumente Publike” ku, në diskutime me udhëheqës të institucioneve të ndryshme publike, është theksuar nevoja për përkushtim më të madh në trajtimin e kërkesave për qasje dhe për përmbushjen e afateve ligjore.

Pavarësisht rritjes së numrit të ankesave për vitin 2024, Agjencia vlerëson se transparenca proaktive do të kontribuojë në uljen e kërkesave burokratike dhe në promovimin e një qeverisjeje të hapur dhe të përgjegjshme. /Kosova.info/

Go to TOP