Aeroporti i Tiranës prin me pasagjerë në të gjithë rajonin

Aeroporti ndërkombëtar i Rinasit e ka tejkaluar zyrtarisht fluksin e udhëtarëve të aeroportit të Beogradit, duke qenë në të dhëna me më shumë se 82 mijë pasagjerë plus vetëm gjatë janarit.

Në bazë të raportimit, Aeroporti i Beogradit, ‘Nikola Tesla’ arriti të ketë 569 mijë e 572 pasagjerë dhe u evidentua si një shifër rekord. Ndërsa Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës shënoi 652 mijë e 270 pasagjerë, pra mbi 82 mijë pasagjerë më shumë sesa në Beograd.

Aeroporti i Tiranës ka shënuar rritje të jashtëzakonshme duke nisur me 2.9 milionë pasagjerë në vitin 2018 dhe duke e çuar në 7.2 milion për vitin 2023.

Rritja e vazhdueshme e fluksit në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës thyen në mënyrë të vazhdueshme rekorde dhe këtë herë duke tejkaluar edhe aeroportin e Beogradit që për vite me radhë ka mbajtur vendin e parë në Ballkan.

Kjo shifër pasagjerësh është 51.2% më shumë sesa ajo e muajit janar të vitit 2023, kur u numëruan 413 mijë e 569 pasagjerë. Investimet e mëdha që Kastrati Group ka kryer në Aeroportin ‘Nënë Tereza’, kanë bërë të mundur që të pritet një numër më i madh linjash ajrore, të lidhen kontrata të reja, të shtohen destinacione, të rriten mundësitë për udhëtime direkte në shumë qytete të botës si edhe të vijnë më shumë vizitorë prej atyre vendeve.

Duke parë tendencën për rritje si edhe duke pasur parasysh destinacionet e reja që janë planifikuar të shtohen, drejtuesit e aeroportit kanë parashikuar një shifër prej 9 milionë pasagjerësh deri në fund të vitit 2024, shkruan Albanian Post.

“Shifrat e pasagjerëve në Tirana International Airport kanë qenë një surprizë për të gjithë dhe jashtë çdo parashikimi, por kjo ka ndodhur falë inisiativave strategjike nga ana e Kastrati Group për të rritur besueshmërinë me partnerët ndërkombëtarë, për të sjellë avionë me kapacitet të lartë fluturimi në Tiranë”, ka thënë drejtori operacional në TIA, Piervittorio Farabbi.

Synimi sipas tij është vetëm rritja dhe kjo do përforcohet edhe më shumë kur të nisim linjat direkte me kontinentin e Amerikës.

Ai shtoi se tashmë ka nisur faza e tretë e zgjerimit të terminalit, përmes të cilit do të trefishohet sipërfaqja e terminalit si edhe do të zgjatet pista, që të mund të operojnë edhe avionët trans-oqeanik.

“Në muajin qershor të vitit 2023 përfunduam fazën e dytë të zgjerimit dhe shumë shpejt vijuam me fazën e tretë ku do shtohen pothuajse 50 mijë metra katrorë terminal dhe aeroport”, përmbylli ai. “Kemi tërhequr vëmendjen e shumë linjave ajrore, tani të gjithë duan të vijnë këtu. Ky interes i linjave ajrore që të nisin operimin në Shqipëri, bën të mundur rritjen e fluksit të pasagjerëve në aeroport”.

Go to TOP