Abrashi kërkon rezultate nga dialogu: Të lihen anash popullzimi dhe nacionalizmi

47 organizata nga Kosova dhe Serbia kanë bërë kërkesë direkte për të dy Qeveritë e vendeve, në lidhje me procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Hulumtuesi, Emir Abrashi, nga Democracy Plus, bënë të ditur se kjo është një nismë nga organizata ndërkombëtare, Peaceful Change initiative dhe se me anë të saj kërkohet që të lihet anash popullzimi dhe nacionalizmit e të punohet drejt një marrëveshjeje përfundimtare.

“Duke e pas parasysh se e kemi një stagnim të procesit të dialogut dhe ky proces po zgjat tash e 10 vite dhe nuk po arrijmë deri në një përfundim të këtij procesi, bashkë me partnerët në Kosovë dhe në Serbi, do të thotë organizata të shoqërisë civile, por edhe individë siç janë akademikë të ndryshëm, 47 gjithsej, kemi nënshkruar një kërkesë për të dy Qeveritë. Kemi kërkuar që të merret seriozisht procesi i dialogut dhe që të vazhdojë ky proces drejt përfundimit.” tha Abrashi .

Tutje ai bëri të ditur se deri më tani nuk ka reagim se kërkesat e tyre janë pranuar qoftë nga institucionet në Kosovë, qoftë tek ato në Serbi.

“Tash ajo që kërkojmë është që ne në vend se të mbajmë qëndrime reaktive të kemi një qasje proaktive. Pra që të involvohet edhe shoqëria civile dhe në anën tjetër shoqëria civile të jetë një zë më kritik ndaj Qeverisë, por në anën tjetër të jetë edhe një partner i Qeverisë drejt arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare.”

Abrashi deklaroi se ka një mungesë serioziteti nga të dyja palët dhe asnjëra palë nuk i respekton të gjitha marrëveshjet që janë arritur gjatë 10 viteve. Sipas tij Qeveria duhet te jetë e koordinuar fillimisht brenda vendit me opozitën e Shoqërinë Civile dhe të hartohet një strategji, e kështu e të shkojë në dialog e unifikuar.

“Ne kërkojmë, tash po flas si pjesëtarë i Shoqërisë Civile të Kosovës, që Qeveria të jetë e matur në procesin e dialogut dhe rrjedhimisht vendimet dhe veprimet që i ndërmerr te jenë të mirë koordinuara me aleatet tanë dhe ne të mos vazhdojmë të humbasim momentume pafundësisht. Ne i kemi humbur shumë momentume që nga fillimi i procesit të dialogut, rrjedhimisht qytetarët e Kosovës sot janë më të izoluarit në kontinentin Evropian dhe kjo përshkak të nguljes këmbë në tema në të cilat në të kaluarën na është kërkuar të lëshojmë pe në këmbim të një gjëje, në këtë rast liberalizmit të vizave.”

Tutje tha se presin që të dyja qeveritë t’i marrin parasysh kërkesat e tyre e të ketë seriozitet në procesin e dialogut dhe që ato të paktën të shqyrtohen.

Go to TOP