Abott takon Bislimin: Kosova të angazhohet me komunitetin ndërkombëtar për dimër
Ambasadori britanik, Nicholas Abbott, sot është takuar me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, me të cilin tha se i ka folur disa tema të rëndësishme për qytetarët e Kosovës, përfshirë edhe ngjarjet e fundit.
Abott, që njoftoi për takimin në Twitter, tha se Kosova duhet të angazhohet në përgatitjen për dimër dhe se këtë duhet ta bëjë edhe me bashkësinë ndërkombëtare.
“Një diskutim i frytshëm me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi për sigurinë energjetike, ekonominë dhe ngjarjet aktuale. E rëndësishme është që Kosova të angazhohet me qytetarët dhe komunitetin ndërkombëtar për dimrin e ardhshëm”.
Përveç Abottit, në Qeveri sot shkoi edhe ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, por ai u takua me kryeministrin Kurti.
