Abdixhiku viziton volejbollistet e ‘Fushë Kosovës’: Premton investime në sport dhe barazi për vajzat

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka vizituar Klubin e Volejbollit ‘Fushë Kosova’, ku u takua me volejbollistet e reja dhe diskutoi për rëndësinë e sportit në zhvillimin e rinisë dhe barazinë gjinore në mundësitë sportive.

“Kënaqësi të jem mes këtyre vajzave të përkushtuara që flasin me pasion për sportin e volejbollit. Jemi të vendosur të ndërtojmë Kosovën e ëndrrave ku çdo vajzë dhe grua ka mundësi të barabarta për të arritur potencialin e saj të plotë,” tha Abdixhiku.

Ai prezantoi para tyre projektin “Rruga e Re”, i cili përfshin investime të mëdha në sport, duke përmendur Qendrën Kombëtare të Sportit në Bërnicë të Prishtinës, një projekt me vlerë 120 milionë euro, që përfshin ndërtimin e Pallatit Kombëtar të Sporteve me salla moderne për basketboll, hendboll dhe volejboll, si dhe një kapacitet prej 8,000 ulësesh.

“Ky modernitet i kohës do të përfshijë edhe një qendër të madhe komerciale dhe hotelierike. Ky është një zotim tashmë i nënshkruar mes meje dhe Kryetarit të Kryeqytetit, Përparim Rama,” shtoi ai.

Në fund të takimit, vajzat i dhuruan një fanellë të klubit si kujtim, të cilën Abdixhiku premtoi ta mbajë në zyrën e tij.

“Askush nuk bëhet kampion pa ëndrra të mëdha. Është koha ta rikthejmë ëndrrën tonë të madhe për një Kosovë që shkëlqen,” përfundoi ai. /Kosova.info/


Go to TOP