Abdixhiku: Vendimi i GjND-së është vulë legjitimiteti për shtetësinë e Kosovës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar 15-vjetorin e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND), e cila më 22 korrik 2010 konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Në mesazhin e tij, Abdixhiku e cilësoi këtë vendim si një konfirmim historik të drejtësisë së kauzës kosovare dhe një vulë legjitimiteti për shtetësinë e vendit.

“Ky konstatim historik ishte rezultat i një pune të përkushtuar të njerëzve më profesionistë dhe përkrahjes së pakusht të aleatëve tanë ndërkombëtarë, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet demokratike të Bashkimit Evropian,” theksoi ai.

Sipas Abdixhikut, ky vendim nuk ishte vetëm fitore ligjore, por dëshmi ndërkombëtare për të drejtën historike dhe politike të Kosovës për të qenë e lirë dhe e pavarur.

Ai nënvizoi edhe rolin e LDK-së në këtë proces: “Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet krenare për rolin e saj të pazëvendësueshëm në të gjithë këtë proces, në rrugën e shtetformimit dhe të afirmimit ndërkombëtar të Kosovës.”

Në fund të mesazhit, kreu i LDK-së përkujtoi me respekt të gjithë ata që kontribuan në këtë arritje madhore dhe riafirmoi përkushtimin e partisë për një Kosovë demokratike dhe të barabartë mes kombeve të lira. /Kosova.info/

Go to TOP