Abdixhiku: Unë dhe LDK e kemi të qartë rrugën përpara, reforma e Jehonës në arsim Prishtinë synon të zhvendoset në çdo qytet
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka lavdëruar punën e drejtoreshës për Arsim në Komunën e Prishtinës, Jehona Lushaku, ku ka thënë se ka bërë një punë të madhe për të mbajtur nga nesër mësimi tërëditor në pesë shkolla të kryeqytetit, ndërsa ka paralajmëruar se vitin e ardhshëm edhe 13 shkolla të tjera do të nisin mësimin tërëditor.
Abdixhiku ka thënë se reforma e Jehonës është modeli i LDK-së në arsim që synon të zhvendoset në çdo qytet.
Postimi i tij:
Të dashur prindër,
Të dashur qytetarë,
Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, ndani 4 MINUTA kohë, për të parë e kuptuar punën e madhe të bërë rreth mësimit gjithëditor, mësim që nesër do të nis në disa shkolla të Prishtinës.
Ky do të jetë modeli im e i yni në nivel qendror!
Shihni punën e madhe për sigurimin e shujtave TË NGROHTA për fëmijët tanë. Nuk bëhet fjalë për kifle me jogurt, por për ushqime të përgatitura me nutricistë për secilën ditë. Shihni angazhimin e madh në Kuzhinën Qendrore e në kuzhinat e reja të shkollave që fëmijët të ushqehen mirë në shkollë! Shkolla me kuzhina – ushqime të ngrohta e shëndetshme për fëmijë!
Shihni punën e madhe të bërë në renovimin e modernizimin e hapësirave, me laboratorë, tabela dixhitale, në vend të dërrasave me shkumës, e me klasë të standardeve më të larta evropiane! Me rafte të dedikuara për secilin fëmijë që librat të mbahen aty jo në çanta të rënduara mbi kurriz!
Shihni riorganizimin e plotë të shkollave e orareve, në mënyrë që nxënësit tanë të qëndrojnë si bashkëmoshatarët e tyre evropian, gjithë ditën në shkollë. JO MË KATËR ORË! T’i bëjnë detyrat aty, të kenë aktivitete aty, të jenë të përkujdesur aty – në shkollë!
Të gjitha këto janë bërë për vetëm 6 muaj kohë. Jehona Lushaku Sadriu, një grua e jashtëzakonshme e me plot përkushtim, ka kaluar muaj pa vikende të lira për të arritur në këtë pikë. Këtë vit nis me 5 shkolla, tjetrin me 13 të tjera; e deri në përfundim.
Reforma e Jehonës është modeli ynë në arsim!
Tani krahasojeni këtë punë, për vetëm 6 muaj kohë, me dështimet spektakulare në nivel qendror, ku popullizmi me gjithë atë buxhet e mundësi shtetare, ofron radhë të gjata pritjeje, maltretime e përfundimisht vonesa në sigurimin e librave – PA ASNJË NEVOJË!
Unë dhe LDK e kemi të qartë rrugën përpara. I kemi të qarta dhe nevojat por dhe zgjidhjet moderne që ju duhen sot. Të tilla që lënë shenja e jo sharje. Që krijojnë ndryshim e nuk ju mbajnë peng në terrin e urrejtjes e përçarjes. ‘Rruga e Re’ dhe modeli ynë në arsim – sikurse Reforma e Jehonës në Prishtinë – synon të zhvendoset në çdo qytet anembanë. Në programin tonë kemi elaboruar reformën në hollësi. Për këtë nuk kemi vetëm zotim, por dëshmi praktike që e shihni këtë vit – për herë të parë – në Prishtinë!
Urime fëmijë viti shkollor.
Ju priftë e mbara në shtigjet e reja para! Qofshin ato të mbushura me përplot kureshtje, dije e arritje!