Abdixhiku: Shteti duhet të jetë mburojë për gratë, femicidi në Kosovë nuk guxon të bëhet gjë e zakonshme

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, ka reaguar për vrasjen që ndodhi sot në Pejë, ku Gjyljeta Ukella u vra nga burri i saj.
Abdixhiku tha se vrasje e grave është bërë shqetësuese.

“Ende pa u bërë një javë, sot po zgjohemi me një lajm tjetër të trishtë. Gjyljeta Ukella, edhe një grua, sot është viktimë nga burri i saj. Kjo s’është gjendje normale, e ne nuk mund të normalizojmë këtë alarm nacional që na shfaqet para sysh nga dy herë në javë vetëm me reagime”, tha Abdixhiku.

Ai theksoi se “Femicidi në Kosovë nuk guxon të bëhet gjë e zakonshme”.

“E asnjë deklaratë e sotme nuk e kthen dot prapa jetën e Gjyljeta Ukella”, tha ai.

Kreu i LDK-së shtoi se shteti duhet të jetë mburojë për gratë.

“Jeta e tyre nuk guxon të mbetet jetë për mbijetesë. Nga lehtësia e posedimit të armës së zjarrit, te gjendja reaktive e institucioneve tona, kushtet strehuese të grave që kërkojnë mbrotje, e gjuha denigruese ndaj grave; problemet i kemi të shumta e veprimet plotësisht të pamjaftueshme”, tha numri një i LDK-së.

“LDK do ta shqyrtoj çdo mundësi institucionale që të ngris diskutimin rreth vendimmarrjes institucionale për parandalimin e rasteve të tilla”, tha Lumir Abdixhiku.

Go to TOP