Abdixhiku: Rinia e Kosovës është forca e ndryshimit, 9 shkurti do të jetë momenti ynë

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, sonte mbajti një tubim madhështor në Prishtinë me Forumin e Rinisë, ku theksoi rëndësinë e të rinjve si motor i ndryshimit politik dhe shoqëror në Kosovë.

Në një atmosferë të mbushur me energji dhe pozitivitet, Abdixhiku u shpreh i bindur se rinia do të jetë forca kryesore për të sjellë ndryshimin e shumëpritur në zgjedhjet e 9 shkurtit. “Rinia e Kosovës donë ndryshim dhe ndryshim do të ketë!” deklaroi ai.

Abdixhiku kritikoi ashpër pushtetin aktual, të cilin e cilësoi si “agresiv dhe arrogant,” duke shtuar se qeverisja e tanishme ndan dhe përçan, duke shpërndarë vetëm mllef e vrer.

“Ne nuk duam të ngjasojmë me ta. Nuk duhet të ngjasojmë me ta dhe nuk do të ngjasojmë me ta!” theksoi ai.

Ai u bëri thirrje të rinjve të ëndërrojnë dhe të guxojnë të ndërtojnë një të ardhme më të mirë për Kosovën – një Republikë të barabartë, krenare dhe evropiane.

“Kjo e ardhme i takon rinisë, pasurisë më të madhe që kemi. Ëndrrat tuaja janë energjia që do të dridhë Kosovën më 9 shkurt,” përfundoi Abdixhiku.

Tubimi shënon një moment të rëndësishëm në fushatën elektorale të LDK-së, duke treguar fokusin e saj te rinia si shtylla kryesore e ndryshimit. /Kosova.info/


Go to TOP