Abdixhiku prezanton Visar Azemin si kandidat të LDK-së për Kryetar të Ferizajt
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka prezantuar sot në Ferizaj kandidatin e kësaj partie për kryetar të komunës, Visar Azemin. Në një tubim me qytetarët, Abdixhiku e përshkroi Ferizajn si “porta që lidh veriun me jugun, lindjen me perëndimin”, një qytet me histori pune, zhvillimi dhe energjie shoqërore.
“Ferizaj është rritur me punë e mund dhe ka mbajtur gjithmonë gjallë shpirtin e tij të hapur e energjik. Ai meriton një udhëheqje përtej të zakonshmes, e këtë e sjell Visar Azemi,” u shpreh Abdixhiku.
Sipas tij, Azemi është i rritur në Ferizaj, i njohur për lidhjen e tij të ngushtë me qytetin dhe hallet e banorëve, por edhe për përvojën e tij profesionale jashtë vendit. Me formim në inxhinieri elektrike nga Universiteti i Prishtinës dhe studime pasuniversitare në menaxhim financiar ndërkombëtar në Universitetin e Maryland-it, Azemi ka drejtuar projekte të mëdha, organizata dhe ka ligjëruar në bazat ushtarake amerikane.
Abdixhiku theksoi se kjo përvojë dhe vizioni strategjik e bëjnë Azemin liderin e duhur për një etapë të re zhvillimore në Ferizaj duke vendosur qytetarin në qendër të çdo vendimi dhe duke punuar me transparencë. “Të priftë e mbara Visar!” përfundoi ai. /Kosova.info/
