Abdixhiku përkujton Smajl Hajdarajn në 24-vjetorin e vrasjes: Figurë qendrore e rrugës sonë për liri dhe demokraci

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar dhe nderuar jetën dhe veprën e veprimtarit të madh Smajl Hajdaraj, në 24-vjetorin e vrasjes së tij.

Në një mesazh përkujtimor, Abdixhiku u shpreh se sot përulemi me respekt para figurës së patriotit, veprimtarit, intelektualit, deputetit, luftëtarit të paepur dhe bashkëpunëtorit të ngushtë të Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova – Smajl Hajdaraj.

Sipas tij, Hajdaraj mbetet një ndër personalitetet qendrore të rrugëtimit të Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci. “Patriot i orëve më të vështira, veprimtar i palëkundur i lëvizjes pavarësiste, komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe deputet i lirisë, ai mishëroi idealin e sakrificës për atdheun”, theksoi Abdixhiku.

Ai rikujtoi se më 17 janar 2002, pas çlirimit të Kosovës nga okupimi serb, dora e krimit ia ndërpreu dhunshëm jetën Smajl Hajdarajt, në një akt të errët kundër Kosovës së lirë. Abdixhiku nënvizoi se dhimbja bëhet edhe më e rëndë nga fakti se edhe pas 24 vitesh, autorët e këtij krimi nuk janë vënë para drejtësisë.

Në fund të mesazhit, Abdixhiku theksoi se Lidhja Demokratike e Kosovës do ta nderojë dhe kujtojë përherë jetën dhe veprën e Smajl Hajdarajt.

“Lavdi!”, përfundon mesazhi përkujtimor i kryetarit të LDK-së. /Kosova.info/


Go to TOP