Abdixhiku pas zgjedhjeve: LDK riktheu besimin dhe stabilitetin, na pret një rrugë e gjatë reformash

Kryetari i Lumir Abdixhiku ka falënderuar votuesit dhe strukturat e LDK-së për mbështetjen në zgjedhjet e fundit duke e cilësuar rezultatin si një rikthim të besimit dhe stabilitetit për partinë, njofton Kosova.info.

Në një mesazh publik, Abdixhiku u shpreh mirënjohës ndaj qytetarëve të Kosovës për, siç tha ai, “mundësinë e dytë” që i është dhënë LDK-së duke theksuar se partia ka arritur të dalë nga një krizë e thellë dhe të konsolidohet si forcë politike me 20 mandate.

“Qëndrojmë si LDK me 20 mandate. Nga një krizë historike me apetite e projekcione të errëta, drejt një stabiliteti të ri. Drejt rikthimit të besimit duke qenë të vërtetë dhe duke qenë vetja”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ai ka falënderuar veprimtarët dhe aktivistët e partisë, duke i cilësuar si arsyen kryesore të rikthimit të LDK-së, ndërsa është zotuar se puna dhe angazhimi i tyre nuk do të shpërdorohen nga interesa individuale.

Sipas tij, partia do të vazhdojë procesin e bashkimit dhe zgjerimit duke ftuar energji të reja që t’i bashkohen rrugëtimit politik të LDK-së në të gjithë Kosovën.

Abdixhiku ka paralajmëruar gjithashtu reforma të thella të brendshme në parti duke theksuar se LDK-së i nevojiten njerëz që kontribuojnë në ndërtimin e vizionit të saj dhe jo individë që, sipas tij, pengojnë zhvillimin për interesa personale.

Duke folur për situatën politike në vend, ai ka vlerësuar se Kosova vazhdon të përballet me sfida dhe nevojë për stabilitet institucional.

“LDK për të dytën herë arriti të krijojë parakushte për balancë demokratike para kontrollit absolut. Tani na duhet maturi, vizion dhe apetit për zhvillim të vendit”, është shprehur ai.

Në fund të mesazhit, Abdixhiku ka uruar të gjitha partitë politike për garën demokratike dhe rezultatet e arritura duke bërë thirrje që rezultati zgjedhor të shfrytëzohet për të mirën e Kosovës.

“Një rrugë e gjatë na pret përpara. Dhe këtë rrugë do ta ecim bashkë”, ka përfunduar ai.

Go to TOP