Abdixhiku nga Suhareka: Është koha që ky qytet të kthehet në LDK
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, qëndroi sonte në Suharekë ku prezantoi Ardian Shalën si kandidat për kryetar të Komunës dhe ekipin e kandidatëve për Kuvendin Komunal.
Në fjalën e tij para qytetarëve, Abdixhiku tha se Suhareka duhet t’i rikthehet LDK-së duke e cilësuar këtë komunë si qytetin e Ukë Bytyçit dhe të patriotëve të mëdhenj që historikisht kanë qenë pranë LDK-së.
“Është koha që Suhareka të kthehet në LDK. Është koha që ky qytet i Ukë Bytyçit, ky qytet i patriotëve të mëdhenj, të kthehet aty ku i takon – në krah të Lidhjes Demokratike të Kosovës; shtëpisë suaj të vërtetë,” u shpreh Abdixhiku.
Ai shtoi se ekipi i LDK-së në këtë komunë përfaqëson njerëz të përgjegjshëm, të ndershëm dhe të përkushtuar, të cilët janë të gatshëm të dëgjojnë qytetarët dhe të punojnë për zhvillimin e vërtetë.
“12 tetori është dita kur Suhareka dhe gjithë Kosova do të flasë qartë: për shpresën, për të ardhmen, për Lidhjen Demokratike të Kosovës,” theksoi Abdixhiku. /Kosova.info/
