Abdixhiku nga Suhareka: Ardian Shala siguroi balotazhin, drejt rikthimit të madh të LDK-së
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka qëndruar sot në Suharekë ku është takuar me kandidatin për kryetar të komunës, Ardian Shala, dhe me ekipin e LDK-së në këtë qytet.
Në një postim në rrjete sociale, Abdixhiku tha se Shala ka siguruar balotazhin dhe e cilësoi atë si “njeri të mbarë, të drejtë e mbi të gjitha punëtor e plot shpresë”. Ai theksoi se ekipi i LDK-së në Suharekë tashmë ka filluar përgatitjet për raundin e dytë të zgjedhjeve.
“Për kafe në Suharekë. Me Ardian Shalën, kryetarin në ardhje i cili na siguroi balotazhin. Një njeri i mbarë, i drejtë e mbi të gjitha punëtor e plot shpresë. Dhe me ekipin tonë të shkëlqyeshëm në këtë qytet, që tashmë kanë nisur punën për raundin e dytë. Suhareka drejt rikthimit të madh, për veten dhe për Lidhjen tonë të madhe”, shkroi Abdixhiku.
LDK synon ta rikthejë udhëheqjen e Suharekës pas disa viteve duke u përgatitur për një garë të ngushtë në balotazh. /Kosova.info/
