Abdixhiku nga Komogllava në Gjilan: Të rinjtë kërkojnë dinjitet dhe mundësi, jo premtime boshe
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka vazhduar takimet me qytetarë në terren duke qëndruar fillimisht në fshatin Komogllavë të Ferizaj, ku u prit me ngrohtësi dhe mbështetje nga banorët lokalë
Ai theksoi se në çdo takim po bëhet gjithnjë e më e qartë se qytetarët janë të lodhur nga zhurma politike, përçarjet dhe propaganda duke kërkuar më shumë qetësi, dinjitet dhe një drejtim të ri për vendin.
“Faleminderit për mikpritjen dhe zemrën e hapur. Rrugëtimi ynë ka nisur dhe rrugën tjetër duhet ta bëjmë bashkë,” u shpreh Abdixhiku duke shtuar se ai dhe Vjosa Osmani synojnë ta shtrijnë këtë ftesë në çdo cep të Kosovës.
Më pas, në Gjilan, Abdixhiku zhvilloi një bashkëbisedim me të rinjtë, ku sipas tij u artikuluan qartë kërkesat e tyre për më shumë mundësi, dinjitet dhe perspektivë brenda vendit.
Ai theksoi se rinia nuk kërkon mrekulli, por një shtet që u hap rrugë dhe u jep arsye për të ndërtuar jetën në Kosovë. Në këtë drejtim, ai prezantoi zotimet për trajnim profesional për 40 mijë të rinj, punësim të garantuar për të diplomuarit dhe zhvillimin e një ekonomie që krijon mundësi reale.
“Rinia e Kosovës nuk është problem për t’u menaxhuar, por forca që duhet besuar,” përfundoi Abdixhiku. /Kosova.info/
