Abdixhiku nga Deçani dhe Klina: Ndryshimi po afrohet, prezanton kandidatët dhe zotimet për zhvillim

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka vazhduar tubimet elektorale në Deçan dhe Klinë, ku ka theksuar rritjen e mbështetjes qytetare dhe besimin në një ndryshim të afërt politik.

Nga Deçani, Abdixhiku e cilësoi takimin si të mbushur me energji dhe optimizëm duke theksuar se qytetarët po bashkohen rreth një vizioni të ri për vendin. Ai foli për nevojën e mbështetjes së familjeve, krijimin e mundësive për të rinjtë dhe ndërtimin e një ekonomie që gjeneron zhvillim dhe mirëqenie.

Në këtë komunë, ai prezantoi kandidatët për deputetë: Armend Zemaj (17), Fadil Hadergjonaj (22), Hysen Çekaj (46) dhe Rabije Haklaj (67) duke e quajtur mbështetjen e marrë si përgjegjësi për angazhim konkret.

Ndërkohë, në Klinë, Abdixhiku foli për sfidat e katër viteve të fundit duke përmendur mungesën e zhvillimit ekonomik, rritjen e kostos së jetesës dhe largimin e të rinjve nga vendi. Ai theksoi se programi i LDK-së synon të adresojë këto probleme përmes politikave konkrete.

“Rritja e pagave, mbështetja për familjet, punësimi i garantuar për të rinjtë dhe investimet në energji, arsim e shëndetësi janë zotimet tona kryesore”, deklaroi ai.

Në këtë tubim, u prezantuan edhe kandidatët: Astrit Desku (49) dhe Kushtrim Krasniqi (97), si pjesë e listës së LDK-së për zgjedhjet e ardhshme.

Abdixhiku përfundoi duke theksuar se mbështetja në rritje do të kthehet në angazhim dhe punë konkrete duke ftuar qytetarët që t’i bashkohen këtij rrugëtimi për ndryshim. /Kosova.info/


Go to TOP