Abdixhiku në Lipjan: Imri Ahmeti, modeli i qeverisjes së mirë, garancia e fitores së LDK-së më 12 tetor

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar një tubim elektoral në Lipjan, ku prezantoi kandidatin e kësaj partie për kryetar të komunës, Imri Ahmetin duke e cilësuar qytetin si “model të qeverisjes së mirë” gjatë tri mandateve të udhëhequra nga Ahmeti.

Para mijëra mbështetësve të tubuar, Abdixhiku theksoi se gjatë tri mandateve të fundit, Lipjani është transformuar nga një qytet periferik në një vatër zhvillimi dhe prosperimi. Ai përmendi investimet konkrete që janë realizuar në shkolla, rrugë, qendra mjekësore, nënkalime, parkingje dhe infrastrukturë për çdo lagje dhe fshat.

“Imri Ahmeti nuk është thjesht kryetari i Lipjanit. Ai është shembulli i një udhëheqësi që punon çdo ditë, mban fjalën dhe ballafaqohet me sfidat me mençuri dhe vendosmëri. Për tri mandate me radhë, ky qytet ka ecur përpara dhe është shndërruar në model të qeverisjes lokale,” tha Abdixhiku.

Ai gjithashtu kritkoi kundërshtarët politikë të Ahmetit duke i quajtur “aleancë të pamoralshme” dhe “turistë politikë” që synojnë vetëm të ndalojnë zhvillimin e Lipjanit. “Por me 12 tetor, me të parën, ata do të marrin verdiktin qytetar. FITORE PA BALOTAZH! Lipjani nuk bie pre e propagandës; Lipjani e njeh mirë të kaluarën, sheh të tashmen dhe beson në të ardhmen – dhe kjo e ardhme është vetëm me Imri Ahmetin dhe LDK-në,” shtoi Abdixhiku.

Kryetari i LDK-së po ashtu theksoi rëndësinë e listës së kandidatëve për Kuvendin Komunal duke e cilësuar si një ekip të ndershëm dhe profesionist që do të vazhdojë punën për zhvillimin dhe mirëqenien e qytetarëve të Lipjanit. /Kosova.info/


Go to TOP