Abdixhiku në Hajvali dhe Fushë Kosovë: Premton 1.5 miliardë euro investime për Prishtinën dhe zhvillim të ri për Kosovën

Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar sonte tubime me qytetarë në Hajvali dhe Fushë Kosovë, ku ka prezantuar vizionin e tij për zhvillimin e kryeqytetit dhe vendit.

Në Hajvali, Abdixhiku u prit me pjesëmarrje të madhe qytetarësh duke e vlerësuar atmosferën si shenjë të “besimit dhe energjisë për ndryshim”. Ai tha se momentumi politik që po krijohet nuk do të ndalet dhe se kërkon angazhim të përbashkët për transformimin e vendit.

Gjatë këtij tubimi, ai u zotua për rreth 1.5 miliardë euro investime në Prishtinë, të cilat, sipas tij, do të fokusohen në infrastrukturë moderne, mësim tërëditor, përmirësim të shëndetësisë dhe rritje të cilësisë së jetës për qytetarët.

Në Degën V të Prishtinës, ai prezantoi kandidatët për asamblenë: Bekim Gashi (nr. 59) dhe Sami Boroci (nr. 52).

Më pas, në Fushë Kosovë, Abdixhiku vazhdoi takimet me qytetarë, ku theksoi programin e LDK-së për fuqizimin e ekonomisë familjare, krijimin e mundësive për të rinjtë dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Kandidatja e prezantuar në këtë komunë ishte Vesa Piskala me numër 66.

Ai tha se mbështetja që po merr në terren është dëshmi e një “momentumi të ri politik”, ndërsa falënderoi qytetarët për pjesëmarrjen në tubime. /Kosova.info/


Go to TOP