Abdixhiku: LDK-ja shënoi rritjen më të madhe
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar në një konferencë për media se LDK-ja ka shënuar rritjen më të madhe ndër subjektet politike në këto zgjedhje duke e cilësuar këtë si mbështetje për vizionin e partisë.
Ai ka thënë se me 20 mandate, LDK-ja është stabilizuar dhe ka një të ardhme të sigurt, ndërsa këtë rezultat e ka quajtur edhe përgjegjësi politike për veprimet e mëtejshme.
Abdixhiku ka vlerësuar se gara zgjedhore nuk ka qenë e barabartë, duke përmendur propagandë, presion dhe fushatë me gjuhë të ashpër, por ka shtuar se qytetarët “kanë dhënë përgjigje” duke i refuzuar këto praktika dhe duke kërkuar kompromis dhe stabilitet institucional.
Osmani premton punë për institucionet nga nesër
Vjosa Osmani në anën tjetër tha se nga nesër do të punojnë që vendit t’i japin institucione të formuara.
“Kjo ka dëshmuar fuqinë e demokracisë në vendin tonë, edhe pse siç e pamë pjesëmarrja ishte relativisht më e ulët në krahasim me proceset e tjera dhe kjo është normale duke ditur që qytetarët janë lodhur me zgjedhje”, tha ajo.
