Abdixhiku, Krasniqi e Haradinaj i thonë po ftesës së Kurtit për t’u takuar nesër

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë ftesë krerëve të partive opozitare në vend për një takim që pritet të zhvillohet paraditen e ditës së martë.
Kjo ftesë e Kurtit erdhi pas zhvillimeve të njëpasnjëshme në veri të Kosovës.
Lista Serbe ka vendosur që të largohet nga institucionet e vendit, e bashkë me ta edhe nënkryetarët e komunave me shumicë serbe tashmë janë larguar nga udhëheqja e këtyre komunave.

Ngjashëm kanë vepruar dhe zyrtarë të shumtë policorë nga nacionaliteti serb në Kosovë.

Rreth 600 policë serbë zyrtarisht kanë paraqitur dorëheqjet e tyre.

Sipas burimeve nga Kryeministria thuhet se Kurti u ka dërguar ftesë liderit të PDK-së, Memli Krasniqi, atij të LDK-së, Lumir Abdixhiku si dhe të parit të AAK-së, Ramush Haradinaj, për takimin e radhës.

E përgjigje në lidhje me këtë ftesë kanë dhënë tashmë krerët opozitarë.

Memli Krasniqi i pari i Partisë Demokratike të Kosovës ka konfirmuar takimin me kryeministrin Albin Kurti. Përpos Krasniqit, pak më parë është konfirmuar edhe pjesëmarrja e të parit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Përgjigjen pozitive për këtë takim e ka konfirmuar zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi.

E konfirmuar është edhe përgjigja e liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj.

Lulzim Blakaj nga AAK, ka konfirmuar se në adresë të Haradinajt ka ardhur një ftesë për takim me kryeministrin Kurti, për të martën në mëngjes dhe se i pari i AAK-së pritet që të jetë prezent në këtë takim.

Po ashtu u tha se tema e diskutimit është për zhvillimet në vend, veçanërisht ato në veri të vendit.

Duhet përkujtuar që i pari i PDK-së, Memli Krasniqi i ka dërguar sot një letër kryeministrit Kurti për situatën e krijuar në veri të Kosovës, duke i shprehur gatishmërinë e PDK-së për të komunikuar dhe harmonizuar veprimet e institucioneve në vazhdimin e ushtrimit të sovranitetit në çdo pjesë të territorit të Kosovës.

Në letrën e tij, lideri i Opozitës, Memli Krasniqi, ka thënë se situata në pjesën veriore është shqetësuese, me rrezik të përshkallëzimit, ndërsa epilogu nuk është i qartë. Andaj, sipas tij, një koordinim i Qeverisë me Opozitën dhe harmonizimi i veprimeve institucionale me partnerët ndërkombëtarë është i domosdoshëm.

“Kosovës i duhen veprime të përgjegjshme që e ruajnë stabilitetin e shtetit tonë. Me këtë rast, ju shpreh gatishmërinë e Partisë Demokratike të Kosovës për të komunikuar hapur dhe në vazhdimësi rreth situatës së krijuar në pjesën veriore të vendit, si dhe për të ndihmuar institucionet në vazhdimin e ushtrimit të sovranitetit në çdo pjesë të territorit tonë”, ka thënë Krasniqi.

Go to TOP